
Prishtina ka realizuar një goditje të rëndësishme në fazën ofensive duke nënshkruar me sulmuesin portugez, Luis Mota.
21-vjeçari vjen nga ekipi i dytë i Portos, ku ishte pjesë e skuadrës gjatë sezonit të fundit. Sipas të dhënave nga Transfermarkt, vlera e tij aktuale në treg është 125 mijë euro.
Mota e ka nisur karrierën te Belenenses, ndërsa më pas ka luajtur edhe për B-SAD në futbollin portugez. Ai është një sulmues klasik i qendrës, me instinkt të theksuar për gol dhe lëvizje të sakta brenda zonës, shkruan Kërlaçki.

Në karrierën e tij si profesionist, Mota ka grumbulluar 63 ndeshje dhe ka realizuar 20 gola – statistika premtuese për një lojtar të moshës së tij.
Lojtari tashmë është bashkuar me ekipin dhe ka nisur stërvitjet me skuadrën, pasi ka nënshkruar kontratën. Ai është parë edhe në stadiumin “Fadil Vokrri” para sfidës së parë ndaj Sheriff Tiraspolit, çka tregon se është në planet e menjëhershme të stafit teknik.

Me këtë transferim, Prishtina shton thellësinë në repartin ofensiv, ku aktualisht posedon Alban Sillovën dhe Leotrim Kryeziun, ky i fundit më shumë i aktivizuar në krah.
Mota pritet të sjellë konkurrencë të shëndoshë dhe alternativa konkrete për gol.
Hinterlasse jetzt einen Kommentar