
Pavarësisht zhgënjimeve të njëpasnjëshme ndër vite dhe mungesës së gjatë në Superligë, tifozët e Vëllaznimit nuk janë ndalur së përkrahuri klubin e tyre të zemrës.
Ata po e ndjekin skuadrën hap pas hapi, madje janë të pranishëm edhe në seancat stërvitore që po mbahen në qytetin e Gjakovës, duke treguar edhe një herë se dashuria për klubin është më e madhe se rezultatet afatshkurtra, raporton „Kërlaçki“.
Megjithatë, pavarësisht përkrahjes së pakusht të tifozëve, klubi nuk ka qenë aq aktiv sa pritej në këtë afat kalimtar veror.
Deri më tani, Vëllaznimi nuk ka zyrtarizuar asnjë përforcim të ri në faqen e klubit, pavarësisht se disa lojtarë iu janë bashkuar skuadrës në stërvitje.
Një gjë e tillë ka shkaktuar shqetësim te opinioni sportiv lokal dhe te vetë tifozët, të cilët prisnin një qasje më agresive në ndërtimin e një skuadre konkurruese për sezonin e ri.

Tentimi më serioz i drejtuesve të klubit ka qenë për sulmuesin Mevlan Zeka, i cili, megjithëse është zyrtarizuar në Rumani, ende po shqyrton mundësinë për të vazhduar karrierën në Kosovë.
Redaksia jonë ka qenë në dijeni prej javësh për takimin mes palëve, por deri më tani nuk është arritur asnjë marrëveshje konkrete.
E vetmja lëvizje zyrtare deri më tani ka qenë konfirmimi i rinovimeve me dy futbollistët gjakovarë Rron Rugova dhe Lek Pozhegu, të cilët do të vazhdojnë të jenë pjesë e ekipit edhe në edicionin e ardhshëm.
Ndërkohë, skuadra zhvilloi një ndeshje miqësore ditën e djeshme ndaj Rilindjes në Pejë, e cila përfundoi pa gola (0:0), duke mos ofruar shumë përgjigje për formën aktuale të ekipit.

Në anën tjetër, punimet në stadiumin e qytetit në Gjakovë po vazhdojnë me intensitet të lartë, madje edhe gjatë fundjavave.
Aktualisht, puna është përqendruar në tribunën perëndimore, ku pritet të përfundojë faza e punimeve të vrazhda në një periudhë të afërt.
Më pas, do të hapet tenderi për mbulimin e të katër tribunave.
Stadiumi i rinovuar synon të plotësojë të gjitha kriteret evropiane dhe, përveç Vëllaznimit, pritet të shfrytëzohet edhe nga përfaqësuesja e Kosovës si dhe nga klubet e tjera vendore në garat ndërkombëtare.
