
Skuadra shqiptare nga Tuzi, Deçiq Admiralbet, ka kaluar me sukses në raundin e dytë të kualifikimeve në Ligën e Konferencës, ku e pret një përballje e fortë me gjigantin austriak, Rapid Vienna.
Tuzanët u mposhten me rezultat 2:1 në ndeshjen e kthimit nga Sileksi i Maqedonisë së Veriut, por falë fitores 2:0 në takimin e parë, arritën të kualifikohen me rezultat të përgjithshëm 3:2.
Ndeshja e sontme nisi mjaft mirë për Deçiçin, që kaloi në epërsi në minutën e 2-të me golin e Vuk Striković.
Por vendasit reaguan shpejt – Aliç barazoi në minutën e 28-të, ndërsa Hrvanović realizoi golin e fitores për Sileksin në minutën e 80-të, duke e kthyer sfidën në një betejë nervash deri në fund.
Në raundin e radhës, Deçiç do të përballet me Rapid Vienën më 25 korrik, në ndeshjen e parë që pritet të zhvillohet në Mal të Zi – megjithëse ende nuk është konfirmuar përfundimisht nëse takimi do të luhet në stadiumin e Tuzit apo në një fushë alternative.
Ndeshja e kthimit është caktuar për datën 31 korrik në Vjenë.