
Për dallim nga përvojat e kombëtareve izraelite në disa shtete evropiane gjatë kohëve të fundit, ku përballjet sportive shpesh janë shoqëruar me protesta, tensione apo refuzime për shtrëngim duarsh nga skuadra rivale për shkak të zhvillimeve në Lindjen e Mesme, pjesëmarrja e kombëtares U17 të Izraelit në Kampionatin Evropian të hendbollit, Divizioni B, që u mbajt në Prishtinë, kaloi pa asnjë incident dhe u karakterizua me organizim të lartë dhe mikpritje të ngrohtë.
Autoritetet kosovare, në bashkëpunim me vetë ekipin izraelit, zbatuan një protokoll të veçantë sigurie, që përfshinte mbikëqyrje të përhershme policore nga momenti i mbërritjes në aeroport, gjatë qëndrimit në hotel, përreth ndeshjeve në palestër dhe deri te largimi nga Kosova.
Ekipi izraelit kishte gjithashtu agjentë të specializuar sigurie që udhëtuan nga Tel Avivi dhe punuan në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës për të garantuar mbarëvajtjen e aktivitetit.
Trajneri i ekipit, Niv Vaintrob, vlerësoi në një deklaratë për RTV 21 organizimin në Kosovë si shembullor, duke shtuar se shpreson që kombëtarja e Kosovës të vizitojë së shpejti Tel Avivin për një ndeshje miqësore si shenjë falënderimi për mikpritjen.
“Gjithçka ishte në rregull që nga fillimi, që nga mbërritja jonë në vendin tuaj, kemi gjithçka që kërkojmë. Organizimi këtu është fantastik. Shpresoj që një ditë edhe Kosova të vijë në Izrael dhe t’ju presim ashtu siç na pritët ju neve. Jemi pak të zhgënjyer për dy humbjet minimale, sepse dhamë gjithçka për t’u kualifikuar në gjysmëfinale, mirëpo ky është sporti”, deklaroi Vaintrob për RTV 21.

Kjo përvojë pozitive bie në kontrast të thellë me situata të tjera të kohëve të fundit.
Para disa ditësh, përfaqësuesja e Sllovenisë në volejboll refuzoi përshëndetjen me ekipin e Izraelit, paraprakisht një veprim të tillë e kishin bërë edhe basketbollistet e Irlandës.
Përballë këtyre incidenteve, përvoja e tyre në Kosovë u dallua si model pozitiv dhe sportiv.
“Nuk e di çfarë ndodhi në Slloveni, por këtu në Kosovë gjithçka është në rregull. Ne po i shtrëngojmë duart të gjithëve. Nuk kemi asnjë problem. Nuk kemi asgjë rreth politikës”, tha Vaintrob.
Volejbollistet e Sllovenisë refuzojnë të shtrëngojnë duart me izraelitet
Trajneri Vaintrop theksoi gjithashtu se ekipi është mësuar me masa të tilla sigurie dhe se ata e dinin saktësisht pse kishin ardhur në Prishtinë – për të luajtur hendboll.
“Ky është një kampionat, dhe hendbollistet tona e dinë që ne nuk kemi ardhur këtu për të vizituar qendra tregtare apo plazhe. Këtu ka vetëm ushtrime, ndeshje dhe përgatitje sportive. E nëse duan të vijnë në pushime, atëherë do të jetë në rregull”.
Izraeli e përfundoi kampionatin në vendin e pestë, me tri fitore – përfshirë një ndaj Kosovës – dhe dy humbje.
Organizimi i këtij aktiviteti nga Federata e Hendbollit të Kosovës u vlerësua pozitivisht edhe nga Federata Evropiane e Hendbollit, e cila e cilësoi turneun si të suksesshëm në të gjitha aspektet.
