
Pas humbjes nga Jannik Sinner me rezultat 3:1 në finalen e Wimbledonit 2025, Carlos Alcaraz tregoi sportivitet dhe maturi të rrallë në fjalimin e tij përmbyllës.
Edhe pse nuk arriti të mbrojë titullin për të tretin vit radhazi, spanjolli 22-vjeçar pranoi disfatën me klas, duke e vlerësuar maksimalisht paraqitjen e kundërshtarit dhe duke shprehur krenarinë për rrugëtimin e tij gjatë këtij sezoni, përcjellë “Kërlaçki”.
Carlos Alcaraz pas humbjes në finalen e Wimbledonit:
“Është gjithmonë e vështirë të humbasësh, edhe kur ndodh në një finale. Dua ta uroj edhe një herë Jannikun. E meriton plotësisht këtë fitore, ishte me të vërtetë një dyjavësh e jashtëzakonshme për ty këtu në Londër. Edhe për ekipin tënd. E di që shumë anëtarë të familjes dhe miq kanë udhëtuar për ty, dhe jam shumë i lumtur për ju. Vazhdo kështu. Është fantastike të krijojmë një rivalitet të fortë mes nesh dhe ti më bën të përmirësohem çdo ditë. Urime!”
Për suksesin e tij këtë sezon:
“Jam shumë i lumtur dhe krenar për gjithçka. Në fillim të vitit pata vështirësi, si në fushë ashtu edhe jashtë saj. Por papritur, gjeta sërish gëzimin në lojë, atë emocion që ndjej sa herë hyj në fushë. Dhe kjo është falë familjes dhe miqve të mi. Pa ta, asgjë nuk do të ishte e mundur. Është një udhëtim i jashtëzakonshëm deri tani dhe dua ta vazhdoj duke sjellë sa më shumë gëzim në fushë. Kam shumë për t’i falënderuar ekipit tim.”
Nëse do të rikthehet në Wimbledon:
“Patjetër! Pa dyshim që do të rikthehem. Wimbledon është një nga turnetë më të bukur në tur. Çdo herë që vij këtu, ndihem si në shtëpi. Është një fushë e mrekullueshme dhe më pëlqen të luaj përpara jush [publikut]. Atmosfera është e pabesueshme. Duhet të them faleminderit dhe do të rikthehem me siguri.
Dua të falënderoj gjithashtu Mbretin e Spanjës. Për mua është një nder i madh të të kem në tribunë dhe të fluturosh deri këtu për të më parë. Jam jashtëzakonisht mirënjohës – shumë faleminderit për praninë tënde.”