
Atmosfera në Beograd nuk është aq e qetë sa në Poznanj, në prag të ndeshjes mes Crvena Zvezdës dhe Lech Poznanjit, pasi në qendër të kryeqytetit serb u shënuan incidente.
Tifozët e Lech-ut treguan edhe njëherë reputacionin e tyre si “huliganë”, duke thyer disa vitrina në rrugën kryesore “Knez Mihailova”.
Rreth disa qindra tifozë nga Polonia mbërritën në Beograd dhe marshuan nëpër rrugën kryesore pa këmisha, duke tërhequr vëmendjen e kalimtarëve. Megjithatë, ngjarjet nuk kaluan pa incidente.
Grupet u mblodhën fillimisht në Kalemegdan, më pas u drejtuan drejt Sheshit të Republikës, ku kënduan dhe brohoritën. Sipas faqeve të tifozëve polakë, mes tyre kishte edhe mbështetës të LKS Lodz dhe të Krakovia-s.

Pa përplasje mes tifozëve serbë e polakë
Pavarësisht incidenteve, nuk pati përleshje mes tifozëve të dy skuadrave, pasi mbështetësit e Crvena Zvezdës dhe Lech-ut gëzojnë marrëdhënie të mira.
Në ndeshjen e zhvilluar në Poznanj, tifozët polakë shpalosën një pankartë me mbishkrimin “Kosova është Serbi”, gjë që pritet t’i sigurojë atyre një pritje të ngrohtë nga “Delijet” në stadiumin “Rajko Mitiç”.
Ndeshja Crvena Zvezda – Lech do të luhet sonte në orën 21:00, me kampionët e Serbisë që mbrojnë një epërsi prej dy golash nga sfida e parë në Poloni.