Fenerbahçe përmbys rezultatin, fiton spektaklin me gola ndaj Feyenoord

Fenerbahçe - Feyenoord
Fenerbahçe - Feyenoord

Në një ndeshje të mbushur me gola, emocione dhe tension, Fenerbahçe triumfoi ndaj Feyenoord me rezultatin 5-2, duke dhuruar spektakël për tifozët. Takimi solli përmbysje rezultati, gola spektakolarë dhe momente polemike me ndërhyrjen e VAR-it.

Feyenoord e nisi më mirë ndeshjen, duke kaluar në avantazh në minutën e 41-të me një goditje të fuqishme me kokë nga Tsuyoshi Watanabe. Megjithatë, Fenerbahçe reagoi shpejt, Archie Brown barazoi në minutën e 44-t, ndërsa Jhon Duran e përmbysi rezultatin para pushimit me një gol të saktë brenda zonës.

Pjesa e dytë ishte edhe më e zjarrtë. Fred shënoi një gol spektakolar nga distanca në minutën e 55-të, duke e çuar rezultatin në 3-1. En Nesyri realizoi në minutën e 83-të për 4-1, para se Watanabe të shënonte dopietën e tij për Feyenoord në minutën e 89-të. Megjithatë, goditja vendimtare erdhi në minutën e 90+5, kur Talisca vulosi fitoren me një gol pranë shtyllës së majtë.

Ndeshja nuk mungoi as në tension, pati ndërhyrje të rënda, kartonë të verdhë dhe madje një ndëshkim për trajnerin Jose Mourinho për sjellje jo sportive. Statistikat treguan një duel të fortë, me goditje të shumta drejt portës nga të dyja skuadrat dhe momente të shumta rreziku.

Pafos befason, mposht Dinamo Kievin me rezultat të përgjithshëm, 3-0.


Pafos, skuadra qipriote siguroi një fitore të rëndësishme 2-0 ndaj Dinamo Kievit në një ndeshje me ritëm të lartë dhe shumë raste për shënim. Është kjo befasi e madhe në futbollin evropian, megjithatë, lufta në Ukrainë ka lënë shenja të mëdha edhe në futbollin e këtij vendi të shkatërruar nga lufta okupuese nga Rusia.

Skuadra vendase kaloi në epërsi herët, në minutën e 2-të, kur Mislav Orsic finalizoi saktë nga brenda zonës. Dinamo kërkoi barazimin, por gjeti përballë një mbrojtje të organizuar dhe portierin në formë.

Në minutën e 55-të, Joao Correia dyfishoi avantazhin me një goditje të ulët në këndin e djathtë, duke vulosur fitoren e Pafosit. Pjesa e dytë solli disa raste të rrezikshme për të dyja skuadrat, ndërsa pati edhe disa kartonë të verdhë për ndërhyrje të ashpra.

Pafos ruajti avantazhin deri në fund, duke u kualifikuar në play-off të Ligës së Kampionëve.