Ku janë “Intelektualët” e vërtetë? Përplasja me kryesinë e Dritës shkaktoi “tërmet” brenda tifogrupit

Intelektualët
Intelektualët

Tifo-skena vendore në Kosovë po kalon një prej periudhave më të zbehta në historinë e saj pasluftës. Grupime të njohura që dikur ishin shtylla e atmosferës në stadiumet kosovare, sot funksionojnë me vështirësi.

Mungesa e rivaliteteve të zjarrta në Superligë, problemet brenda klubeve dhe largimi i tifozëve të vërtetë nga tribunat, kanë zbehur ndjeshëm sharmin e garës vendore.

Një situatë që ndihet edhe më fort në tribunen lindore të stadiumit në Gjilan, aty ku “Intelektualët”, dikur ndër grupet më aktive dhe karizmatike në Kosovë, kanë pësuar një “tërmet” të brendshëm.

Pas incidentit të bujshëm mes drejtorit sportiv të klubit Drita, Valon Zymberi, dhe liderit të Intelektualëve, Taulant Byqmeti, grupi ultras i Gjilanit u përfshi nga një krizë e thellë.

intelektualet
intelektualet në prishtinë në vitin 2023

Pas këtij rasti, “Intelektualët” vendosën bojkot të plotë ndaj klubit për muaj të tërë, duke munguar në ndeshjet vendimtare.

Edhe pse në fund të sezonit të kaluar u panë shenja rikthimi në tribuna, prezenca e grupit nuk ishte aspak në nivelin tradicional që e ka karakterizuar atë. As në numër, e as vokalisht.

Një pjesë e rëndësishme e grupit, veçanërisht mbështetës të afërt të Byqmetit, kanë zgjedhur të mos rikthehen fare në tribuna.

Si pasojë, Dritës i ka munguar mbështetja e zjarrtë nga tifogrupi i saj edhe në ndeshjet evropiane ndaj Differdange dhe më pas në sfidën historike kundër Copenhagen në Prishtinë, ku për herë të parë një skuadër kosovare luajti në rrethin e dytë të Ligës së Kampionëve.

“Intelektualët” ishin aty, por nuk lanë gjurmë. As numerikisht, as vokalisht, e as me ndonjë koreografi.

intelektualet
intelektualët në prishtinë në vitin 2025

Ata kanë qenë ndër më të organizuara gjatë viteve të fundit në Kosovë, me koreografi të mirëmenduara dhe udhëtime të shumta.

Krizat e brendshme, përplasjet me drejtuesit e klubit, dhe mungesa e bashkëpunimit, kanë dëmtuar jo vetëm grupin si organizatë tifozësh, por edhe vetë imazhin e klubit.

Kërkesa kryesore e tifozëve vazhdon të jetë dorëheqja e Zymberit nga pozita e drejtorit sportiv, një kërkesë që deri tani është injoruar nga kryesia.

Drita nesër përballet me një nga sfidat më të rëndësishme të dekadës në raundin e tretë kualifikues të Ligës së Evropës ndaj kampionit rumun Steaua Bukuresht.

Rikthimi i vërtetë i “Intelektualëve” në tribuna do të ishte një ndihmë e madhe për skuadrën në këtë duel vendimtar, si në aspektin moral, ashtu edhe në atë emocional.

intelektualet
intelektualet