
UEFA ka gjobitur dy klubet, Lech Poznanin dhe Partizanin e Beogradit, për shfaqjen e banderolave me përmbajtje politike, përfshirë edhe mesazhin “Kosova është Serbi”. Vendimet janë bërë publike të enjten në faqen zyrtare të shtëpisë së futbollit evropian.
Klubi polak Lech Poznan u ndëshkua me 10 mijë euro për shfaqjen e një baneri gjigant me mbishkrimin “Kosova është Serbi” gjatë ndeshjes së parë të raundit të tretë kualifikues të Ligës së Kampionëve kundër Cërvena Zvezdës. Përveç kësaj, ai u gjobit edhe për shkelje të tjera të rregullores disiplinore.
Ndërkohë, Komisioni Disiplinor i UEFA-s ka vendosur gjoba të shumta ndaj Partizanit të Beogradit për incidentet në ndeshjet kualifikuese të Ligës së Konferencës kundër Oleksandriyas dhe Hibernianit.
Për shfaqjen e banderolave të papërshtatshme, mes tyre edhe “Kosova është Serbi”, gjatë ndeshjes së 31 korrikut në Beograd kundër Oleksandriyas, Partizani është gjobitur me 17 mijë e 500 euro.
Klubi serb ka marrë edhe gjoba të tjera për bllokim rrugësh, përdorim lazerësh dhe ndezje fishekzjarrësh, duke e çuar shumën totale të dënimeve në 90 mijë e 250 euro.
Përveç gjobave financiare, Partizani do të detyrohet ta zhvillojë ndeshjen e radhës në shtëpi në garat e UEFA-s me 10 mijë ulëse bosh në tribuna.