FC Prizreni – rivali i Lirisë në qytetin e dytë më të madh në vend!

FC Prizreni
FC Prizreni

Klubi futbollistik FC Prizreni ka hyrë me seriozitet të plotë në fazën përgatitore për edicionin e ri në Ligën e Parë, duke u riorganizuar në të gjitha nivelet dhe duke përforcuar ndjeshëm skuadrën me emra të rinj dhe rikthime të rëndësishme.

I themeluar në vitin 2020, FC Prizreni është bërë një nga shembujt më të spikatur të ngjitjes së shpejtë dhe të organizuar në futbollin kosovar. Brenda pak vitesh, klubi ka arritur të kalojë me sukses të gjitha shkallët e rangjeve të futbollit, duke siguruar tashmë pjesëmarrjen në Ligën e Parë.

Klubi drejtohet nga një grup ish-futbollistësh të Lirisë që njohin nga afër realitetin e futbollit vendor, me në krye Bekim Bakajn, i cili mban postin e drejtorit, ndërsa tani është edhe kryetrajnerin aktual i këtij ekipi të ri i cili po synon të ndërtojë një skuadër që jo vetëm konkurron në nivel të lartë, por sfidon edhe klubin më të mëdha të qytetit – Lirinë, simbolin historik të Prizrenit dhe jo vetëm.

Bekim Bakaj, ditë më parë ka theksuar përkushtimin e klubit për të ndërtuar një ekip konkurrues, duke e parë këtë sezon si një mundësi për të treguar shembullin e një klubi të mirëstrukturuar.

“Jemi duke u riorganizuar si klub, duke ditur rëndësinë e Ligës së Parë. Kemi hyrë në kontakte me biznesmenë të fuqishëm, si nga Kosova ashtu edhe nga mërgata, dhe besojmë se me mbështetjen e tyre do të mund të ndërtojmë një skuadër të fortë”, kishte thënë, dikur ish-futbollisti i Lirisë, Bakaj.

Rinovime të rëndësishme për vazhdimësi

Kapiteni i skuadrës, mesfushori kreativ Ylli Myrtezani, ka rinovuar kontratën me klubin, një hap kyç për ruajtjen e stabilitetit në mesin e fushës. Po ashtu, edhe Musa Kambi, Deivid Silva Costa, Hazer Brahaj – i njohur si “zemra e ekipit”, qendërmbrojtësi Argjend Qela, Albin Jakupi, Joao Aguiar dhe sulmuesi prizrenas Vigan Badalli kanë zgjatur qëndrimin e tyre në klub.

Përforcimet

Një nga rikthimet më të spikatura është ai i mesfushorit Lirigzon Elshani, i cili pas një eksperience në Zvicër, është kthyer në klubin ku u rrit si futbollist.

Përforcimet nuk kanë munguar as në repartin ofensiv dhe defensiv. FC Prizreni ka afruar emra të rinj si, Godwin Chibueze Chukwu, Albi Shpuza, Zenel Gavazaj, Angjelo Radovani, Ermal Bojaxhiu, Joseph Godwin, Geerts Pascal, Ermal Memaj, Danis Bratovqiç, Adonis Krasniqi  dhe Arbijon Nikqi.

Largimet

Klubi ka përshëndetur me respekt largimin e trajnerit Samuel Nikaj, i cili udhëhoqi ekipin drejt promovimit historik në Ligën e Parë. Po ashtu, FC Prizreni ka falënderuar për kontributin e dhënë edhe portierin Butrin Bulliqi dhe mbrojtësin Albin Jakupi, me të cilët palët janë ndarë me mirëkuptim.

Ambicie për të lënë gjurmë

Me një kombinim të mirëfilltë mes përvojës, rinisë dhe kthimit të emrave që kanë lidhje me klubin, FC Prizreni synon të jetë jo vetëm një konkurrent i fortë në Ligën e Parë, por edhe një shembull për organizim profesional dhe ndërtim të qëndrueshëm të skuadrës.