
Futbollisti i FC Prishtina, Valmir Veliu, është shpallur lojtari më i mirë i javës së parë në edicionin e ri të Albi Mall Superligës, duke marrë çmimin “Ylli i Javës” – një nismë e përbashkët e Federatës së Futbollit të Kosovës dhe sponsorit zyrtar të kampionatit.
Vlerësimi është bërë nga Komisioni i Veteranëve të Futbollit, i përbërë nga Enes Shosholli, Lulzim Berisha dhe Naim Kodraliu. Kriter për këtë përzgjedhje ishin paraqitjet vendimtare të Veliut në sfidën ndaj FC Dukagjinit, ku ai kontribuoi me një gol dhe një asistim, duke i dhënë Prishtinës një nisje të mbarë të sezonit me fitoren 3:2 në transfertë.

Pas pranimit të çmimit, Veliu shprehu mirënjohje dhe entuziazëm për vlerësimin e marrë:
“Të luash për Prishtinën është ëndërr e çdo futbollisti. Jam ambientuar shumë mirë, pasi shumicën e bashkëlojtarëve i kam njohur edhe më herët. Ndeshja ndaj Dukagjinit nuk ishte e lehtë, por arritëm të marrim tri pikë të rëndësishme. Jam i lumtur që kam ndihmuar me një gol dhe një asistim. Ky çmim është një motivim shtesë për të vazhduar me përkushtim dhe për të kontribuar çdo javë për ekipin. Objektivi i Prishtinës mbetet i qartë – titulli kampion ose pjesëmarrja në garat evropiane”, deklaroi ai për faqen zyrtare të FFK-së, përcjellë Kërlaçki.