Dhjetësha e përsosur e Nadia Comaneci

Nadia Comaneci
Nadia Comaneci

Nadia Comaneci është ndoshta sportistja më e famshme rumune në histori. Gjimnaste profesioniste, ajo hyri në histori pikërisht më 19 korrik 1976, kur gjatë Lojërave Olimpike në Montreal arriti notën perfekte 10.0 — e para në botë që arriti një vlerësim të tillë në gjimnastikë. Në atë kohë ishte vetëm 14 vjeçe.

nadia comaneci prague1977
nadia comaneci në pragë Çekosllovaki 1977

E lindur në vitin 1961 në qytetin Onesti të Moldavisë rumune, Nadia u regjistrua në gjimnastikë nga nëna e saj, e cila e përshkruante si një vajzë shumë energjike. Sportin e dashuroi menjëherë dhe ia kushtoi edhe arsimin, duke përfunduar shkollën për edukim sportiv.

Shkëlqimi i parë i saj ndodhi në vitin 1971 në Shkup të Maqedonisë Veriore, në një garë mes sportistëve rumunë dhe jugosllavë, ku dominoi me rezultate mbresëlënëse. Sukseset në arenën evropiane vijuan, duke i hapur rrugën pjesëmarrjes në Lojërat Olimpike të Montrealit në vitin 1976. Lojërat nisën më 17 korrik dhe vetëm një ditë më pas, Nadia ishte në faqet e para të të gjitha revistave sportive në botë falë “dhjetës së pastër”.

Paraqitje e përsosur

Nota 10.0 konsiderohej në atë kohë si një rezultat i paarritshëm — çdo notë mbi 9 ishte vlerësuar si perfekte. Por atë ditë, Nadia e theu këtë kufi. Në ushtrimin në paralelet e pabarabarta, gjashtë gjyqtarë i dhanë notën maksimale. Kur u shfaq rezultati në tabelë, u lexua “1.00” për shkak se sistemi nuk ishte i programuar për të treguar “10.0”. Pas këtij momenti historik, organizatorët e Lojërave Olimpike filluan të përmirësonin sistemet e pikëzimit.

Gjatë këtyre Lojërave, Nadia arriti notën 10 edhe gjashtë herë të tjera: tre herë në parter (disiplina që ajo vetë e konsideronte si më të dobëtën), dy herë në paralele dhe një herë në tra. Pas Montrealit, u vendos që mosha minimale për pjesëmarrje në Lojërat Olimpike të ishte 16 vjeç, duke e bërë kështu rekordin e saj të paarritshëm për gjimnastet më të reja.

nadia comeneci moscow 1980
nadia comeneci në moskë 1980

Po atë vit, ajo u shpall sportistja më e mirë e vitit në Rumani dhe në botë. Në vendin e saj u nderua me shumë çmime dhe tituj. Ajo vijoi karrierën në gjimnastikë, duke fituar kampionate të shumta në Evropë dhe më tej.

Në vitin 1984, kur shumë vende komuniste bojkotuan Lojërat Olimpike, Rumania vendosi të marrë pjesë — bashkë me të edhe Comaneci. Megjithatë, pas këtyre Lojërave, ajo filloi të përballej me kufizime nga autoritetet rumune, të cilat shpesh nuk e lejonin të merrte pjesë në garat ndërkombëtare për arsye gjeopolitike. Këto përplasje çuan në vendimin e saj për t’u larguar nga vendi në vitin 1989 dhe për t’u vendosur në SHBA.

nadia comaneci
nadia comaneci sot 63

Ajo u zhvendos pranë mikut të saj të ngushtë — apo tashmë të dashurit — Bart Conner dhe nisi të punonte si trajnere në një klub gjimnastike në Oklahoma. Bart Conner, një gjimnast i njohur amerikan, u bë bashkëshorti i saj në vitin 1996. Në SHBA, ashtu si në Evropë, ajo ruajti statusin e një legjende sportive dhe e shfrytëzoi famën e saj për t’u përfshirë në aktivitete të shumta bamirësie.

Ajo është ambasadore e Lojërave Olimpike, anëtare e shumë bordeve sportive dhe një mbështetëse e zjarrtë e Lojërave Olimpike Speciale për sportistët me aftësi të kufizuara intelektuale. Sot, ajo vazhdon të jetojë në Oklahoma, së bashku me bashkëshortin e saj.

@ Marrë nga Index, përshtatur nga Kërlaçki

nadia comaneci mishel obama
nadia comaneci me burrin e saj dhe michelle obama