
Katër vendime të rëndësishme përpara Real Madridit këtë verë
Real Madrid pritet të marrë katër vendime të mëdha gjatë kësaj vere, sipas të përditshmes spanjolle Diario AS. Katër lojtarëve – Thibaut Courtois, Dani Carvajal, Antonio Rüdiger dhe David Alaba – u skadon kontrata në vitin 2026, dhe klubi duhet të përcaktojë të ardhmen e secilit.
Portieri belg, Thibaut Courtois (33), pritet të rinovojë kontratën edhe për dy vite të tjera. Në të kundërt, e ardhmja e Dani Carvajal (34) është më e pasigurt, sidomos pas ardhjes së mbrojtësit anglez Trent Alexander-Arnold (26), i cili shihet si zëvendësimi i tij i drejtpërdrejtë në të djathtë të mbrojtjes.
Situata më e ndërlikuar është ajo e David Alabës (34), i cili aktualisht është vetëm zgjedhja e pestë për qendër të mbrojtjes. Sa i përket Antonio Rüdigerit (33), ekzistojnë shqetësime për formën e tij fizike në planin afatgjatë, gjë që e vë në dyshim rinovimin e tij me klubin.
Vendimet që do të marrë Real Madridi për këta katër veteranë do të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në përbërjen dhe ekuilibrat e skuadrës në sezonin që vjen.