Armando Broja me çmim të lartë të vënë nga Chelsea

Armando Broja
Armando Broja

Armando Broja dhe e ardhmja e ti te Chelsea duket gjithnjë e më e pasigurt. Klubi londinez ka vendosur një çmim befasues për kartonin e sulmuesit shqiptar, njofton nga shtypi anglez Sport Ekspres, përcjellë Kërlaçki.

Futbollisti i Kombëtares Shqiptare praktikisht jashtë planeve të sezonit të ri. Broja nuk u përfshi as në listën për Botërorin e Klubeve, një sinjal i qartë për të ardhmen e tij te “Bluve”.

Sipas mediave britanike, Chelsea kërkon të paktën 25 deri në 30 milionë euro për të hapur negociatat për shitjen e Brojës. Kjo shumë shihet si tejet e lartë duke marrë parasysh historikun e tij me dëmtimet dhe minutazhin shumë të kufizuar në sezonet e fundit.

Në opinionin sportiv, pritej që vlera e Brojës të kishte rënë ndjeshëm, ndoshta në kuotat 10-15 milionë euro. Por Chelsea ka refuzuar ta përgjysmojë çmimin, duke mbajtur një vlerësim që mund të rezultojë pengesë serioze për transferimin e tij.

Kjo situatë mund të çojë në një tjetër huazim ose transferim në minutat e fundit të merkatos së verës – një skenar që e lë lojtarin jashtë fazës përgatitore të sezonit. Kjo jo vetëm e vështirëson përshtatjen me ekipin e ri, por rrit edhe rrezikun për lëndime të tjera dhe ul mundësinë për të fituar një vend në formacion.

Në këtë fazë, duket se vetëm klube jashtë Europës do të ishin të gatshme të investonin një shumë të tillë për një lojtar me formë të paqëndrueshme. Një lëvizje e tillë do të përbënte, për shumëkënd, një “fund të parakohshëm” të karrierës së Brojës në futbollin elitar europian.