
Nuk kanë faj as lojtarët, as trajnerët, as drejtorët e këshilltarët – ata i ka vendosur dikush aty.
FC Prishtina asnjëherë nuk ka qenë më mirë në aspektin financiar, falë ligjit për sponsorizim dhe shitjes së lojtarëve. Se me çfarë çmimi dhe si u bëhen klauzolat lojtarëve të rinj, është temë më vete, për një rast tjetër.
Prishtina vuan nga mossuksesi. Që nga viti 2014, klubi ka vetëm një titull kampioni. Deri në ndërrimin e pronarëve, klubi vuante edhe nga mungesa e financave, por akuza ishte se s’kishte sukses!
Çfarë nënkuptohet me “sukses”? Shpëtimi nga rënia në minutën shtesë me një gol rastësor të një mbrojtësi, një javë para fundit të kampionatit, ndaj një skuadre që ishte e rënë?
Ikja e dy lojtarëve titullarë si të lirë? Albin Krasniqi dhe Drilon Islami kishin kontratë dyvjeçare. Njerëzit e klubit u kujtuan vetëm në gjashtë muajt e fundit t’u bënin presion dhe t’i largonin nga stërvitjet. Pra, lojtarët paguheshin për të mos luajtur. Dhe, njëri prej tyre – Albin Krasniqi – e çoi Prishtinën në Evropë me golin e vetëm në finalen e Kupës!
Kush janë personat që merren me sportin në FC Prishtina?
Klubi paguan, me rregull, me premi, persona të shumtë brenda – por edhe jashtë klubit, nëpër kafe e dreka, për “këshilla”.
Klubi lejon që edhe persona brenda tij të kenë agjenci të lojtarëve!
Në klub shihen persona jozyrtarë, jo të punësuar në klub, që në ndeshje evropiane mbajnë të varur “all-access”?! Kush i lejon këta? Kjo nuk ka ndodhur kurrë më parë në një klub si Prishtina – që njerëz jo kompetentë, pa kontratë apo lidhje me klubin, të flasin për klubin, të sillen në zyrat e klubit, t’u afrohen futbollistëve dhe të flasin për fatin e klubit. Dikush i ka lejuar – nuk janë çmendur që të futen pa “leje”.
Prishtina ka shtabin teknik më të madh në Kosovë. Ka gjasa të jetë klubi shqiptar me më së shumti trajnerë në shtab. Dhe, e dini çfarë? Me përvojë është vetëm trajneri i portierëve, Ahmet Beselica!
Në shtab janë persona që ose janë provuar para shumë vitesh, ose janë trajnerë në fillim të zanatit. Mund të jenë djem të mirë dhe të vullnetshëm për të punuar, por të padënjë për një klub si Prishtina. Sepse Prishtina nuk ka zot – as në klub, as në ekip.
Në Prishtinë nuk dihet kush i sjell lojtarët. Trajneri? Drejtori sportiv? Këshilltari sportiv? Drejtori gjeneral? Kryetari i klubit? Apo dikush krejt jashtë klubit? Kush vendos? Pyeteni ju!
Prishtina është ndër katër klubet me pagesa më të larta për lojtarët – ndoshta e katërta – por pse gabon vazhdimisht? Që sa vite po gabon? Kush vendos për transferet? Kush mban përgjegjësi? Të përzgjedhurit, apo ata që i kanë përzgjedhur? Kush pyetet në fakt në klubin e futbollit Prishtina? Opinioni, me siguri, nuk e di.
Më e keqja në klub është që nuk pranohen gabimet – dhe kjo është thelbësore. Vetëm nga gabimet mësohet. Ndërsa në Prishtinë, duke u mbrojtur gabimi, mbrohet vetja. Gjuhet faji te tjetri. Në çdo “dikaster” është një person zyrtar dhe një tjetër “në hije”, brenda apo jashtë klubit, s’ka rëndësi. Por dikush i ka lejuar këto anomali – dhe ai ka emër.
Përgjigja më e mirë për të kuptuar se ku po shkon klubi janë dy eliminimet në Evropë, shpëtimi nga rënia në javën e parafundit, shitja e lojtarëve të rinj me klauzola që nuk të lejojnë t’i mbash, ikja e titullarëve pa kontratë e pa dëmshpërblim, mungesa e fuqisë për të konkurruar në treg me Dritën, e tash as me Gjilanin, e më parë as me Ballkanin. Prurjet e lojtarëve me probleme dëmtimesh heshten, sepse në Prishtinë nuk pranohen gabimet. Po u pranua gabimi, merret përgjegjësia. E kur ta marrësh përgjegjësinë, nëse ke pak moral, largohesh – lëshon rrugë. Sepse Prishtina, mbi të gjitha, është klub më i madh se sa individët që karrierën e tyre profesionale e kanë nisur në FC Prishtina.