
Në fakt, njerëzit në klubin e futbollit Prishtina kanë pak zgjedhje – edhe më pak ide!
Në dy dekada, Prishtina në shumicën e rasteve ia ka “futur kot” emërimeve të trajnerëve. “Kot” disa herë ia ka futur edhe në shkarkimin e tyre. Ndërsa, “futja kot” e merr përgjigjen te pyetja: ku kanë punuar shumica prej tyre pas Prishtinës?
Nga viti 2013 deri në vitin 2025, Prishtina ka bërë 16 emërime me 15 trajnerë të ndryshëm. Vetëm Zekerija Ramadani ka arritur titullin, vetëm Mirel Josa ka qëndruar dy sezone. Prej tyre, Armend Dallku është shkarkuar pas vetëm një viti, ndërsa Sami Sermaxhaj është “detyruar” të japë dorëheqje (shkak: tifozët e shtyrë nga anëtarë të “opozitës” në klub!).
Njerëzit në FC Prishtina nuk kanë as shumë zgjedhje, as ide – sepse nuk kanë plan. Sepse, së pari duhet të vendoset kush vendos. Dhe ai që vendos, për sa kohë e mban përgjegjësinë që t’i realizohet plani?
Pra, shumë pak ka rëndësi kush do të emërohet. Do të jetë një zgjidhje emergjente. E paplanifikuar, e paqartësuar se çfarë duan të arrijnë me atë emërim.
Ka disa trajnerë të lirë për momentin që kanë punuar së fundi: Bekim Isufi, Leotrim Krasniqi, Qendrim Kida…
Ka edhe nga ata që presin nga “të mëdhenjtë”, si Rami Krasniqi, Sami Sermaxhaj, e pse jo edhe Afrim Tovërlani.
Ka zëra jashtë klubit, të afërt me njerëzit brenda tij, që provojnë ta “shtyjnë” edhe Skënder Gegën, ish-trajnerin e dorëhequr të Partizanit.
Por, në klub mungon vizioni. Duan trajner – por të vendosin ata! Në këtë mënyrë, një trajner me dinjitet nuk do ta pranojë postin. Ose, nëse e pranon, do të “digjet”. Ndërsa ata që vetëm duan emërimin për “CV”-në personale, nuk ia vlen të analizohen.
Prishtina, para se të emërojë trajner, duhet t’i qartësojë gjërat brenda në klub: kush vendos? Sa është afati i vendimit të tij? Dhe si mund të vendosë dikush që deri tash vetëm ka gabuar në mënyrë konstante?
Pra, emërimi i trajnerit nuk përbën lajm. Por lajm përbën autoriteti i trajnerit që do të emërohet – dhe që nuk do të varet nga vartësit e tij “fillestarë”. Ata emra janë: Ramiz Krasniqi, Afrim Tovërlani, Sami Sermaxhaj, e pse jo edhe Leotrim Krasniqi. Ky i fundit më së paku duron, dhe në këtë konstelacion nuk do t’ia dilte.
Nuk është koha të kërkohet futboll atraktiv. Është koha të kërkohet një menaxhues ekipi, që sjell rezultate, që sjell disiplinë, që sjell autoritet në ekip.
Emërimi i Bekim Isufit pas 8-0 me Malishevën do të ishte guxim i çmendur – vetëm të mendohej. Qendrim Kida nuk dëshmoi, fatkeqësisht, te Suhareka.
Thjesht, kryetari i klubit duhet të vendosë një kryetrajner që merr përsipër të luajë edhe rolin e menaxherit, me një plan afatgjatë 2-3 vjeçar, ku “vartësit” e tij do të jenë vetëm mbështetje teknike për të. Por, për të marrë një figurë të tillë, duhet të ketë mbi të gjitha besimin e kryetarit të klubit – i pa ndikuar nga “miqtë” e kafeneve dhe zyrtarët fillestarë me poste në klub.