A do të transferohet Dumfries te Barcelona?

Denzel Dumfries
Denzel Dumfries

FC Barcelona ka vendosur të mos e ndjekë më pistën e transferimit të Denzel Dumfries, pavarësisht se kanë shqyrtuar mundësinë e afrimit të tij. Klubi katalanas beson se pozicioni i mbrojtësit të djathtë është i mbuluar mjaft mirë me lojtarët aktualë dhe nuk sheh nevojë për përforcime në këtë repart.

Agjenti i Dumfries, Jorge Mendes, ka ofruar disa herë shërbimet e lojtarit gjatë muajve të fundit, por drejtuesit e Barcelonës nuk kanë marrë hapa konkretë. Edhe pse profili sulmues i mbrojtësit holandez dhe klauzola relativisht e ulët prej 25 milionë eurosh e bënin atë një opsion interesant, Barça ka zgjedhur të mos vazhdojë më tej me këtë ide.

Klubi e sheh Jules Kounde si titullarin e padiskutueshëm në krahun e djathtë të mbrojtjes, edhe pse ai është një qendërmbrojtës i natyrshëm. Sipas Fabrizio Romano, Barcelona synon të rinovojë sa më shpejt kontratën e francezit për të shmangur interesin nga klubet e Premier League.

Ndërkohë, trajneri Hansi Flick ka besim te i riu Hector Fort, si dhe te lojtari i gjithanshëm Eric García, të cilët shihen si alternativa të vlefshme në rast mungese të Kounde.

Vetëm në rast se ndodh një largim nga skuadra, veçanërisht në pozicionet me mbipopullim si qendra e mbrojtjes apo mesfusha, Barcelona mund të konsiderojë sërish përforcimin e krahut të djathtë.