
Mesfushori shqiptar Adrion Pajaziti, i transferuar këtë verë nga Fulhami te Hajduku i Splitit, ka shprehur entuziazmin e tij të madh për klubin dhe atmosferën që e rrethon, shkruan Tportal, përcjellë Kërlaçki.
Pas një huazimi te Gorica, 22-vjeçari arriti të bindë drejtuesit e Hajdukut për ta afruar në ekip. Drejtori sportiv Goran Vuçeviq e solli nga skuadra angleze, duke i rezervuar menjëherë një rol të rëndësishëm në formacion.
I ftuar në “Hajduk Super Podcast”, Pajaziti kujtoi momentin kur u përball me klubin për herë të parë.
“Babai im ishte në tribunë kur unë luaja me Goricën kundër Hajdukut. U dashurua menjëherë me atmosferën, filmonte e fotografonte gjithçka. Unë i thashë se i kisha parë të gjitha nga fusha”, ka treguar ai me humor.
Më pas, gjatë pushimeve në Kosovë, Pajaziti mori një telefonatë të papritur nga Ivan Rakitiç.
“Po ngisja makinën dhe u ndala menjëherë që të mos dëgjohej muzika e lartë. Ishte një moment i veçantë”, ka thënë ai.
Pajaziti theksoi madhështinë e klubit.
“Hajduku nga brenda është edhe më i madh se ç’mund ta imagjinoni. Nga jashtë mendon se e kupton madhësinë e tij, por kur bëhesh pjesë e klubit, e kupton se është dhjetë herë më shumë. Jam vetëm një muaj këtu, por tashmë ndjehem pjesë e tij. Hajduku është bërë pjesë e imja. Është e vështirë ta përshkruash”, ka përfunduar reprezentuesi shqiptar.