Akil Makolli – Dashuria për futbollin që nuk iu shpërblye kurrë

Akil Makolli
Akil Makolli

Akil Makolli, një emër që nuk u bë i njohur në fushat e mëdha të futbollit, por që la pas një histori të veçantë pasioni dhe përkushtimi. Sot, në ditëlindjen e tij të 32-të, ai nuk është më pjesë e lojës që e donte me zemër – futbollit.

akil makolli
akil makolli titullar në miqësoren kundër sivaspor në turqi

I dashuruar në futboll, por që nuk ia pa hajrin kurrë, të cilin në fund u bind ta linte për të përfunduar fakultetin dhe të gjente punë.

Akil Makolli, sot mbush vetëm 32 vite. I lindur më 2 gusht 1993 në Prishtinë, futbollin e kishte lënë pa i mbushur 31.

Pyesni ju: po çfarë tragu la një mbrojtës shtatgjatë e thatanik? Ndoshta asgjë për syrin e publikut.

Por megjithatë, ishte i vlerësuar si jashtëzakonisht inteligjent, pavarësisht mungesës së shpejtësisë. U vlerësua nga disa trajnerë si futbollist, ndërsa pati trajnerë që e mendonin edhe si ndihmës të tyre.

akil makolli
akil makolli titullar në miqësoren kundër sivaspor në turqi

Në fund, as lutja e ndihmëstrajnerit të Vushtrrisë, Agon Ramadani, që të mos e linte futbollin e të angazhohej në klubin e Vushtrrisë – me një trajner si Armend Dallku që kërkon përkushtim maksimal – nuk e ndaloi vendimin e tij. Vlerësim i lartë, por Akili më në fund ishte bindur: nuk ia kishte parë hajrin futbollit!

Djali i mjeshtrit të shahut, Përparim Makolli, Akili konsiderohet ndër njohësit më të mirë të matematikës. Por futbollin e donte – dhe nuk mund ta linte lehtë.

Trajneri i ri dhe i talentuar, Leutrim Krasniqi, veçse e çmonte si lojtar te Vjosa – skuadër që “ia mshefnin topin” Ballkanit të Ilir Dajës në një miqësore – dhe e kishte vlerësuar se Akili mund të bëhej një trajner shumë i mirë.

Fadil Ademin e falënderon më së shumti. Sa ishin bashkë te Ulpiana, ai e mbushte me besim si lojtar. E Akili asnjëherë nuk ishte njohur me vetëbesimin.

akil makolli
akil makolli në stadiumin e qytetit në prishtinë kundër feronikelit ndeshja e parë e sezonit 201415

Te Edlir Tetova, po te Ulpiana, luante si “sahat”. Me trajnerin dy herë kampion të Shqipërisë kishte mësuar më së shumti për lojën e topkëmbës, futbollin.

Nuk mjaftuan këto episode për dikur futbollistin e talentuar të Wolgang Jerat te Prishtina – që kishte grumbulluar një brez lojtarësh të talentuar. Një kohë ishte edhe mbrojtës titullar te Prishtina e vitit 2015 me trajnerin Ramiz Krasniqi. Ndërsa kishte qenë pjesë e skuadrës U19 me talentet bardhekaltër në turneun e Dortmundit, kundër skuadrave të njohura evropiane si Arsenal, Zenit, Monchengladbach, Wolfsburg, etj.

Dhe djaloshi që sot mbush vetëm 32 vjet kishte vendosur të realizojë atë që di më së miri dhe që mund t’ia shohë hajrin: të përfundojë vitin e fundit të Fakultetit të Elektroteknikës – drejtimi Elektronikë, ndërsa tashmë ka gjetur punë profesionale në kontabilitet dhe financa, ku më nuk i duhet të vrapojë pas topit dhe borxheve të klubeve të Ligës së Parë.

akil makolli
akil makolli kupa 2014 prishtina ballkani 5-0