Atdhe Mazari rikthehet te Shkëndija

Atdhe Mazari
Atdhe Mazari

Klubi Futbollistik Shkëndija ka zyrtarizuar afrimin e sulmuesit Atdhe Mazari, i cili bashkohet me skuadrën në formë huazimi njëvjeçar nga klubi kroat NK Varazhdin.

Marrëveshja mes dy klubeve është finalizuar me sukses, dhe pas përfundimit të procedurave administrative, Mazari ka nënshkruar kontratën që do të jetë e vlefshme deri më 30 qershor 2026.

I rritur në akademinë e Shkëndijës, Mazari ka kaluar më herët edhe në radhët e disa klubeve tjera në Maqedoni si Struga, Ohri dhe Pobeda Prilep. Ai u afirmua veçanërisht te Rabotniçki, ku paraqitjet e mira i hapën rrugën transferimit të tij në elitën e futbollit kroat, te NK Varazhdin në edicionin pranveror, por që realisht nuk kishte gjetur hapësira te klubi kroat.

Megjithatë, me një bagazh të konsiderueshëm përvoje si në kampionatin vendor ashtu edhe në atë në Kroaci, Mazari rikthehet në Tetovë për të forcuar repartin ofensiv të kuqezinjve ku ai mund të japë kontribut të rëndësishëm në arritjen e objektivave për sezonin e ri.

Shkëndija përballet me Ludogorets në raundin Play-Off të UEFA Europa League

 Të enjten mbrëma, në ora 20:00, në Stadiumin Nacional të Shkupit, Shkëndija do të zbresë në fushë përballë Ludogorets në ndeshjen e parë të raundit Play-Off të UEFA Europa League.

Kuqezinjtë përballen me një kundërshtar të fortë, kampionët e shumëfishtë të Bullgarisë, në një duel vendimtar për një vend në fazën e grupeve të kompeticionit të dytë më të rëndësishëm evropian për klube.

Atmosfera në kampin kuqezi është e ngarkuar me optimizëm, ndërsa skuadra kërkon të shfrytëzojë përparësinë e terrenit vendas për të marrë një rezultat pozitiv para sfidës së kthimit në Bullgari. Tifozët pritet të jenë të pranishëm në numër të madh për të dhënë mbështetjen e tyre në këtë sfidë të rëndësishme evropiane.

Ndeshja premton emocione dhe luftë sportive, teksa Shkëndija synon të shkruajë një tjetër kapitull historik në arenën ndërkombëtare.