“Bashkëshortja ende më qorton që nuk shkova te Real Madrid dhe humba aq shumë para”

Kosta Sloukas
Kosta Sloukas

Basketbollisti grek me përvojë, Kostas Sloukas (35 vjeç, 1.90 m), është kthyer në një nga figurat më të diskutueshme të basketbollit europian, sidomos pas kalimit bujshëm nga Olympiacos te Panathinaikos dy sezone më parë. Me katër tituj të Euroleagues të fituar me tre klube të ndryshme – Olympiacos (2), Fenerbahçe dhe Panathinaikos – Sloukas ka shënuar një karrierë të pasur, duke u shpallur edhe MVP i Final Four 2024 pas 25 pikëve në finalen që i dha titullin ekipit të tij.

kosta sloukas
kosta sloukas

Por, në verën e vitit 2020, karriera e tij mund të kishte marrë një rrjedhë krejt tjetër. Pas pesë sezonesh te Fenerbahçe, ku fitoi Euroleaguen në 2017, Sloukas vendosi të largohej dhe kishte në tavolinë një ofertë të majme nga Real Madrid. Në një intervistë për podcast-in Demis Dialogues, përcjellë Kërlaçki, të moderuar nga ish-ylli i futbollit grek Demis Nikolaidis, ai pranoi se kjo ishte një nga vendimet më të diskutueshme në familjen e tij.

“Kisha një ofertë shumë të rëndësishme nga Real Madrid. Bashkëshortja ime ende më qorton që nuk shkova atje dhe humba aq shumë para”, – u shpreh Sloukas.

Pavarësisht ofertës, ai vendosi të rikthehej te Olympiacos, me synimin për ta çuar ish-ekipin e tij në një Final Four të Euroleagues, në një periudhë kur klubi po kalonte vështirësi sportive dhe legjendat Vasilis Spanoulis e Giorgos Printezis ishin pranë fundit të karrierës.

“Humba shumë para që të shkoja te Olympiacos në atë kohë. Edhe Panathinaikos më kontaktoi dhe më tha se paratë nuk do të ishin problem” – kujton ai.

kosta sloukas
kosta sloukas

Nga rikthimi te largimi drejt rivalit të përjetshëm

Pas tre sezonesh, lidhja me Olympiacos përfundoi papritur. “Olympiacos nuk më donte më dhe më la në një situatë të keqe. Shkova te rivali për t’ua provuar të kundërtën” – deklaroi Sloukas për kalimin te Panathinaikos.

Ai kujtoi gjithashtu finalen e humbur të Euroleagues në 2023 kundër Real Madrid, duke theksuar se rezultati nuk u vendos vetëm nga gjuajtja e famshme e Sergio Llull.

“Në basketboll, fati ka ndikim, por ti krijon kushtet. Humbja erdhi më herët, kur bëmë gabime në mbrojtje, edhe pse ishim në avantazh me katër pikë dhe lejuam Sergio Rodriguez të shënonte një treshe”, përfundoi Sloukas, i cili është aktualisht i grumbulluar me Kombëtaren e Greqisë për EuroBasket-in, ku në fazën e parë do të përballet edhe me Spanjën, Italinë, Bosnjën, Qipron dhe Gjeorgjinë në Grupin B.