
Përfaqësuesja e Kosovës në boks po zhvillon fazën e fundit të përgatitjeve për Kampionatin Botëror që do të mbahet nga 4 deri më 14 shtator në Liverpool, Angli.
Tre boksierët kosovarë – Bashkim Bajoku (55 kg), Loris Idrizi (65 kg) dhe Shpëtim Bajoku (70 kg), nën përkujdesjen e selektorit Faton Xhakli, që nga 18 korriku janë stërvitur, së pari në Tale të Shqipërisë, me mbështetje financiare vetanake të selektorit. Ndërsa, më 18 gusht ata do të vazhdojnë përgatitjet në kampin ndërkombëtar në Sofje të Bullgarisë, ku do të sparingojnë me përfaqësues nga Franca, Greqia, Austria, Bullgaria dhe Kroacia.
Ndërkohë, boksierja kosovare Donjeta Sadiku (60 kg), së bashku me selektoren Marjola Sallauka, më 16 gusht do të udhëtojë drejt kampit ndërkombëtar në Sheffield të Anglisë.
Këto përgatitje intensive synojnë t’i çojnë sportistët kosovarë në formën më të mirë të mundshme për Botërorin e shtatorit.