Charalambous: “Nesër na pret një ndeshje e fortë, nuk kemi ardhur të mbrohemi”

Elias Charalambous
Elias Charalambous

Kryetrajneri i FCSB, Elias Charalambous, doli sot para mediave në konferencën për shtyp në prag të sfidës së raundit të tretë kualifikues në Ligën e Kampionëve, ndaj Dritës. Pas fitores 3-2 në ndeshjen e parë, trajneri paralajmëroi se ekipi i tij pret një sfidë të fortë dhe se do të kërkojë golin në Prishtinë.

Charalambous vlerësoi mikpritjen në Kosovë dhe theksoi se për FCSB-në është thelbësore të tregojë seriozitet dhe fokus të plotë për të kaluar më tej.

“Presim ndeshje të fortë kundër ekipit të organizuar. Ndeshja nesër është 50 me 50. E kemi analizuar ndeshjen e parë për të parë se ku kemi pasur vështirësi dhe të përmirësojmë gabimet tona. E përsëris, ndeshje e vështirë. Duhet të shënojmë gol, nuk kemi ardhur të mbrohemi”, ka thënë trajneri qipriot i FCSB.

elias charalambous
elias charalambous

“Kam përshtypje fantastike prej kur kemi zbritur në Kosovë, kemi takuar dashamirësi nga të gjithë. Këtu ka luajtur edhe Rumania dhe nuk ka asnjë problem. Gjithçka po ecën mirë, po duket vend i përparuar shumë”, ka vlerësuar Charalambous.

“Ka shumë lojtarë nga Kosova në Rumani, por në këtë moment nuk e kam ndërmend ndonjë lojtar të Dritës. Do të shohim më vonë, ndoshta pas ndeshjes”, ka çmuar qiprioti lojtarët e shumtë shqiptar në kampionatin rumun.

“Ekipi ynë ka vetëbesim. Jemi klub i madh dhe kemi treguar në shumë momente që kemi reaguar në situata të vështira, duke treguar se mund të bëjmë gjëra të mëdha. Duhet të jemi shumë të fokusuar sepse na pret ndeshje e fortë”, ka thënë ai.

“Çdo ekip ka dallimet e veta. Shkëndija ka stilin e saj, Drita të saj, por më rëndësi është forma jonë. Për ne është e rëndësishme të tregojmë seriozitetin tonë. Nuk mund t’i krahasoj ekipet në atë formë, secila ka përparësitë e saj dhe janë në ngritje e sipër”, ka theksuar në fund kryetrajneri i skuadrës së trofeshme rumune.