Ballkani synon kalimin në raundin e tretë të Conference League për herë të katërt

Ballkani
Ballkani

Ballkani, kampionët e trefishtë të Kosovës do të kërkojë sonte kalimin për herë të katërt në raundin e tretë të Conference League, një objektiv që tashmë është bërë pjesë e zakonshme e ambicieve të klubit nga Suhareka në garat evropiane, sidomos me statistikat e jashtëzakonshme jashtë fushës së saj në udhëtim, konstaton Kërlaçki.

Kjo është hera e katërt që Ballkani merr pjesë në kompeticionet ndërkombëtare. Në tri pjesëmarrjet e mëparshme, skuadra nisi gjithmonë nga kualifikimet e Ligës së Kampionëve si kampione e Kosovës, por në të tria rastet u eliminua që në raundin e parë.

Ndryshe nga edicionet e kaluara, këtë sezon Ballkani e nisi rrugëtimin evropian nga raundi i dytë i Conference League, falë koeficientit të përmirësuar të Kosovës, ndërsa ishte vendosur si bartëse për shkak të koeficientit të vetë skuadrës.

Ballkani është ndër skuadrat e rralla shqiptare që ka regjistruar rezultate mbresëlënëse si mysafire në kualifikimet e Conference League. Nga tetë ndeshje të zhvilluara jashtë fushe, ka fituar gjashtë dhe ka pësuar vetëm dy humbje. Edhe në sezonin e kaluar, kur u eliminua nga Larne në raundin e tretë, Ballkani kishte fituar ndeshjen e parë në transfertë.

Në edicionin 2022, Ballkani mposhti Fioritan në San Marino me rezultat 4-0 në raundin e dytë, ndërsa në fazën play-off triumfoi ndaj Shkupit në Maqedoni me shifrat 2-1.

Në vitin 2023, fitoi ndaj Larne në Irlandën e Veriut 4-1 dhe më pas ndaj Lincoln në Gjibraltar me rezultat 3-1 në raundin e tretë.

Ndërsa në edicionin e kaluar, Ballkani ka regjistruar dy fitore si mysafire, ndaj Hamrun Spartans në Maltë (2-0) dhe një tjetër sukses ndaj Larne (1-0), skuadër nga e cila ishte eliminuar vitin e kaluar.

Humbjet e vetme të Ballkanit si mysafir në këtë kompeticion kanë ardhur ndaj Klaksvikar në kohë shtesë (2-1), ndeshje që u mbyll me kualifikim të Ballkanit pas penalltive, dhe ndaj BATE Borisov në vitin 2023 në një fushë neutrale në Hungari (1-0), sfidë që u përmbys me fitoren 4-1 në Prishtinë.

Sonte, Ballkani do të zhvillojë për të katërtin vit radhazi një ndeshje vendimtare për kalimin në raundin e tretë, me synimin që për herë të tretë të arrijë në fazën e grupeve të Conference League. Pas fitores 4-2 në ndeshjen e parë në Suharekë ndaj skuadrës malteze, udhëtimi i tretë në këtë shtet i jep shpresë të madhe ekipit të drejtuar nga Orges Shehi.