Fitore të Dritës dhe Shkëndijës, Dinamo pëson fiasko

Drita - Differdange 2-1
Drita - Differdange 2-1

Fitore të ngushta, por me peshë për Dritën dhe Shkëndijën, humbje e rëndë dhe pa shpresë për Dinamon.

Dy prej skuadrave tona arritën fitore minimale, por tepër të rëndësishme, duke triumfuar me rezultatin 2-1.

Shkëndija regjistroi një përmbysje të madhe, duke e kthyer ndeshjen në favor të saj pas disavantazhit fillestar. Nga ana tjetër, Drita u detyrua të rikthehej në lojë pas një barazimi befasues të kundërshtarit, por arriti të sigurojë epërsinë para ndeshjes kthyese. Dinamo në anën tjetër nuk mundi t’i përballoj dot skuasdrës polake.

albert dabiqaj
albert dabiqaj

Drita fiton ndaj Differdange në “Fadil Vokrri” 2-1

Skuadra e Dritës ka arritur një fitore të rëndësishme përballë Differdange në një ndeshje plot emocione dhe episode dramatike.

Drita kaloi në epërsi që në minutën e 30-të me golin e Albert Dabiqajt, i cili shfrytëzoi një aksion nga krahu i majtë. Megjithatë, mysafirët barazuan në minutën e 64-t me golin e Andreas Buch, duke i shtuar presionin vendasve.

Vetëm pak minuta më vonë, në minutën e 78-të, Dabiqaj fitoi një penallti për Dritën, të cilën e konkretizoi me sukses Besnik Krasniqi, duke rikthyer epërsinë 2-1. Në kohën shtesë, VAR-i ndërhyri dhe pas rishikimit, Mfoumou i Differdange u ndëshkua me karton të kuq, duke lënë ekipin mysafir me një lojtar më pak.

Fitorja e mbajti Dritën në rrugën e duhur drejt synimeve evropiane, duke treguar karakter dhe forcë përballë një kundërshtari të fortë.

besnik krasniqi
besnik krasniqi

Shkëndija fiton 2-1 ndaj Ludogorets në Tetovë

Shkëndija ka arritur një fitore të madhe 2-1 ndaj Ludogorets në ndeshjen e parë të luajtur në Tetovë.

Skuadra bullgare kaloi e para në epërsi me golin e Duarte në minutën e 17-të, por kuqezinjtë reaguan shpejt. Liridon Latifi barazoi me një supergoditje nga goditja e lirë në minutën e 35-të, duke dërguar ekipin e tij në pushim me moral të lartë.

Në pjesën e dytë, Besart Ibraimi përmbysi gjithçka në minutën e 60-të me një gol të saktë brenda zonës, i konfirmuar edhe pas ndërhyrjes së VAR-it.

Pas këtij triumfi 2-1, Shkëndija siguron një avantazh të rëndësishëm për ndeshjen e kthimit në Bullgari.

ballistat e shkëndijës
 ballistat e shkëndijës

Jagiellonia “shkatërron” Dinamon, humbje 3-0 në Poloni

Dinamo e Tiranës ka pësuar një disfatë të rëndë në transfertë ndaj Jagiellonias, duke u mposhtur me rezultatin 3-0. Skuadra shqiptare u tregua e pafuqishme përballë polakëve, të cilët dominuan ndeshjen nga fillimi deri në fund.

Vendasit kaluan në avantazh herët me Imaz në minutën e 12-të, pas një gabimi të portierit Teqja. Në të 34-ën, mbrojtja e brishtë e Dinamos u ndëshkua sërish, këtë herë nga Pululu, që shënoi për 2-0. Në fillim të pjesës së dytë, në minutën e 50-të, Uojtuszek vulosi rezultatin 3-0, duke i prerë shpresat për rikthim.

Dinamo pati disa mundësi të izoluara, mes tyre një rast të artë me Dejvi Bregun në minutën e 5-të, por mungesa e saktësisë dhe efikasitetit bëri që skuadra e Dajës të mbetej pa gol. Edhe ndërrimet e shumta gjatë lojës nuk sollën asnjë përmirësim.

Kjo humbje thekson problemet serioze të Dinamos, sidomos në fazën mbrojtëse, ndërsa Jagiellonia konfirmoi epërsinë dhe formën superiore.

jagiellonia - dinamo
jagiellonia dinamo