
Portieri italian Gianluigi Donnarumma mund të largohet nga Paris Saint-Germain gjatë kësaj vere, pasi nuk ka pranuar ofertën për rinovimin e kontratës me klubin francez.
PSG është duke shqyrtuar disa oferta, ndërsa më e fundit ka ardhur nga kampi i Galatasarayt.
Klubi turk ka bërë hapa konkretë për të siguruar shërbimet e 25-vjeçarit, i cili gjithashtu është përmendur si objektiv i Interit dhe Juventusit.
Megjithëse Donnarumma ka pasur paraqitje të mira me PSG-në, refuzimi për të zgjatur qëndrimin e tij e ka shtyrë klubin të shqyrtojë transferimin e tij që këtë verë.
Parisienët nuk dëshirojnë ta humbasin pa përfituar financiarisht, pavarësisht se e morën portierin nga Milani me parametra zero në vitin 2021. Donnarumma konsiderohet ende si një ndër portierët më të mirë në botë dhe ka interes të madh në treg.
Gallatasaray e sheh italianin si pasues të Fernando Muslerës, ndërkohë që më herët klubi kishte pasur në listë edhe gjermanin Marc-André ter Stegen, i cili megjithatë nuk ka pranuar të largohet nga Barcelona.