
Lirim Kastrati është “ylli” më i fundit që i bashkohet Vllaznisë në këtë merkato, me shkodranët që me të vërtetë kanë realizuar një “goditje” të vërtetë në hyrje për sa i përket sezonit 2025-26.
Por shkodranët në vitet e fundit me të vërtetë nuk janë “stepur”, duke afruar në skuadër gjatë sesioneve të ndryshme të merkatove emra të njohur dhe që kanë pasur një CV me të vërtetë të rëndësishme dhe për t’u pasur zili, shkruan “Panorama Sport”.
Kështu, duke nisur nga edicioni 2021-22, ku shkodranëve iu bashkua Fallou Diagne, me mbrojtësin senegalez që ishte aktivizuar për shumë vite në elitat e futbollit në Francë, Gjermani apo Turqi, ku më së shumti kishte spikatur në Bundesliga me fanellën e Verder Bremenit.

Në edicionin 2022-23 do të ishin dy goditje në merkaton e kuqebluve, ku emra që kishin bërë diferencën në kampionatin shqiptar dhe jo vetëm, si Liridon Latifi dhe Esat Mala, iu bashkuan 9 herë kampionëve të vendit.
Në edicionin 2023- 24, po ashtu shkodranët realizuan një afrim të bujshëm, duke rikthyer në Shkodër Bekim Balajn, sulmuesin që mungonte prej vitesh në ambientin e futbollit kuqeblu.
E teksa i fundit në radhë nga “yjet” e afruar në vitet e fundit është Lirim Kastrati, me drejtuesit e skuadrës shkodrane që nuk janë kursyer aspak ndër vite, duke afruar lojtarë që bëjnë diferencën dhe që mund të ndihmojnë skuadrën drejt objektivave madhorë.
