
Pak para finales së Superkupës së UEFA-s ndaj Tottenhamit, trajneri i PSG-së, Luis Enrique, ka konfirmuar se Gianluigi Donnarumma nuk është pjesë e skuadrës. Portieri italian, një nga protagonistët e sezonit të kaluar në fitimin e Ligës së Kampionëve, ka reaguar me një mesazh emocional duke lënë të kuptohet se aventura e tij në Paris ka përfunduar.
Enrique ka deklaruar se vendimi për ta lënë jashtë listës ishte personal i tij.
“Donnarumma nuk është në skuadër dhe kjo është tërësisht zgjedhja ime. Dua një portier ndryshe, megjithëse ai është një nga më të mirët në botë”, tha ai. Vendin e tij e ka zënë Lucas Chevalier.
Ndërsa pas këti lajmi, Donnarumma ka reaguar në Instagram.
“Që nga dita e parë kam dhënë gjithçka për PSG-në. Dikush vendosi që nuk mund të jem më pjesë e skuadrës dhe kjo më ka lënduar. Shpresoj t’i përshëndes tifozët në ‘Parc des Princes’ siç e meritojnë. Ju do të mbeteni gjithmonë në zemrën time. Ishte nder të luaja për këtë klub dhe të jetoja në këtë qytet”, shkroi ai.
Sipas Fabrizio Romano, Manchester City është ndër klubet e interesuara për të, por PSG kërkon 50 milionë euro. Për të bërë vend për portierin italian, City mund të shesë Edersonin, për të cilin interes ka shfaqur Galatasaray.