Për pak sa nuk prishi Tour de France – “shakaxhiu” dënohet me burg me kusht

Tour de France
Tour de France

Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në përfundim të etapës së 17-të të Tour de France, ku një burrë 30-vjeçar u përpoq të kalojë vijën e finishit me biçikletë pak minuta para përfundimit zyrtar të garës. I veshur me fanellën e ekipit Decathlon-AG2R La Mondiale dhe me një helmetë të zezë në kokë, ai kishte kapërcyer gardhin mbrojtës dhe kishte hyrë në pistë, duke rrezikuar sigurinë e garuesve.

Një polic arriti ta ndalojë dhe ta rrëzojë në tokë, pas së cilës ai u arrestua menjëherë. Autoritetet franceze e dënuan me tetë muaj burg me kusht, për shkak të hyrjes së paligjshme në zonën e garës sportive, pengimit të garës, mosrespektimit të rregullave dhe ushtrimit të dhunës ndaj një zyrtari publik.

Gjykata bëri të ditur se burri ishte dënuar më parë tri herë, ndërsa krahas burgut me kusht, ai u dënua edhe me ndalim hyrjeje në objekte sportive për pesë vjet, si dhe do të duhet të paguajë 500 euro dëmshpërblim për policin, i cili pësoi lëndime gjatë përplasjes.

Ngjarja ka ngjallur reagime të shumta në rrjete sociale dhe në komunitetin sportiv, duke rikthyer debatin për sigurinë në eventet e mëdha ndërkombëtare.