Sistemi “My FFK” funksional vetëm pjesërisht – opinioni ka pritur që gjithçka të jetë LIVE në faqën e FFK-së!

FFK
FFK

Pas raportimeve të mëngjesit për mosfunksionimin e sistemit “My FFK”, kanë ardhur reagime kryesisht nga administratorë klubesh dhe zyrtarë të përfshirë në gara, të cilët kanë sqaruar se sistemi ka qenë funksional – por realiteti është se vetëm në një aspekt të kufizuar, sqaron Kërlaçki.

Pas raportimeve të paradites se sistemi “My FFK” nuk ka funksionuar, kanë ardhur një numër reagimesh, kryesisht nga administratorë të klubeve.

Sipas tyre, është e saktë që klubet, bashkë me vëzhguesit, kanë futur të dhënat në sistem, por ky proces është funksional prej disa vitesh. Risi ka qenë vetëm për Ligën e Parë. Edhe pse me disa probleme të vogla gjuhësore, sistemi ka funksionuar në këtë drejtim.

Megjithatë, qëllimi kryesor ka qenë që këto të dhëna të publikoheshin në kohë reale në faqen zyrtare të FFK-së. Pikërisht kjo pjesë është ajo që u intereson mediave dhe publikut, pasi sistemet e dixhitalizuara në Kosovë funksionojnë prej kohësh. Problemi është se publiku nuk ka qasje në këto të dhëna – ato nuk publikohen, ndonëse ato janë në dispozicion të klubeve.

Bëhet fjalë për të dhëna elementare statistikore, të cilat janë të rëndësishme sidomos tani kur të gjitha ndeshjet zhvillohen në të njëjtën kohë, duke e bërë të pamundur për mediat të sigurojnë informacion në kohë reale. Kjo situatë rëndohet edhe më shumë nga problemet grafike në transmetime, veçanërisht kur ato realizohen nga studio televizive dhe jo nga vendi i ngjarjes.

Transmetuesit nuk arrijnë të publikojnë as deklaratat e trajnerëve pas ndeshjeve, e lëre më statistika si minutat e luajtura nga lojtarët apo ndëshkimet me kartonë. Në fakt, edhe këto të dhëna shpallen në buletinet zyrtare dhe pas disa kohësh u dërgohen klubeve.

Në përfundim, këto statistika minimale, edhe sot e kësaj dite, u dërgohen vetëm klubeve nga FFK-ja – por mbeten të padukshme për opinionin e gjerë dhe opinioni ka pritur që gjithçka të jetë LIVE në faqën e FFK-së!

Kërlaçki

“My FFK” – Epoka e digjitalizimit që nuk nisi ende!