Në kuadër të raundit të dytë kualifikues të UEFA Conference League, Dinamo Minsk, kampionët bjellorusë, do të përballen me Egnatian më 24 korrik në orën 20:45, në stadiumin Mezőkövesdi Városi në Hungari.
Klubi më i suksesshëm në Bjellorusi, themeluar në 1927 dhe kampion aktual i BetLiga (dhe i viteve 2024), me histori në Ligën e Kampioneve dhe Europa League, Dinamo tenton të bëjë hapin drejt fazave të grupeve të garave evropiane.
Klubi shqiptar, Egnatia, kërkon konfirmimin në arenën ndërkombëtare dhe synon rezultate pozitive për të avancuar në Conference League dhe duke harruar humbjen poshtëruese ndaj kampionëve të Islandës, Breidablik (1-0/0-5)
Pse Dinamo Minsk luan në fusha neutrale? Sanksione të vendosura nga UEFA
Që nga marsi 2022, UEFA ka vendosur që skuadrat bjelloruse – përfshirë Dinamo Minsk – duhet të luajnë ndeshjet “ndërkombëtare shtëpiake” në fusha neutrale dhe pa tifozeritë e pranishme. Vendimi erdhi si pasojë e mbështetjes së Bjellorusisë për ndërhyrjen ushtarake ruse në Ukrainë dhe përkrahjes së vazhdueshme ndaj shtetit rus.
Pra, Dinamo nuk ka avantazh të vërtetë “shtëpie”, loja zhvillohet në fushë neutrale dhe pa tifozë. Për Egnatia, kjo përbën një mundësi të barabartë – asnjë presion nga stadiumi mik, vetëm se duhet të luaj futboll!