Dueli i revanshit: Usyk kundër Dubois – më ndryshe se herën e parë

Oleksandr Usyk dhe Daniel Dubois
Oleksandr Usyk dhe Daniel Dubois

Revanshi mes Oleksandr Usyk dhe Daniel Dubois pritet të jetë një përballje krejtësisht ndryshe nga ajo e para. Kësaj here, Dubois vjen me një qëllim të qartë: t’i hakmerret për humbjen e dy viteve më parë, kur Usyk e mposhti me nokaut në raundin e nëntë, ka thënë ekskluzivisht për Kërlaçki analisti edhe eksperti i boksit, Artan Vërbica.

“Në duelin e parë, Dubois u paraqit pa përvojën e duhur dhe i papërgatitur, ndërsa tani rikthehet me më shumë pjekuri dhe vetëbesim. Që nga ajo humbje, ai ka regjistruar tri fitore të rëndësishme kundër emrave të mëdhenj të boksit si Jarrell Miller, Filip Hrgović dhe Anthony Joshua – suksese që e kanë forcuar pozitën e tij në skenën ndërkombëtare.

Sa i përket Usykut, s’ka shumë për të thënë: një kampion i dëshmuar dhe një “arkitekt” i vërtetë i boksit modern.

Sa i takon epilogut të përballjes, mendoj se gjithçka do të varet nga strategjia e Dubois. Nëse ai arrin të shfrytëzojë fuqinë dhe forcën e tij natyrale, mund të fitojë me ndërprerje. Por nëse Usyk arrin ta shtyjë meçin deri në raundet e fundit, atëherë pritet fitore me vendim unanim për ukrainasin.

Gjasat janë të barabarta, 50-50, por një epërsi të vogël ia jap Usykut”, ka theksuar në prononcimin e tij, eksperti i boksit, Artan Verbica.

Ndeshja pritet të filloj nga ora 23:00 ndërsa drejtpërdrejt mund të gjeni në platformën me pagesën DAZN.