
Në Kuvendin e Jashtëzakonshëm të Federatës së Futbollit të Kosovës, i cili u mbajt sot me pjesëmarrjen e 50 delegatëve, një nga pikat e rendit të ditës ishte zgjedhja e përfaqësuesit të futbollistëve në Komitetin Ekzekutiv të FFK-së. Me unanimitet votash, delegatët zgjodhën Samir Ujkanin, ish-portierin e Kombëtares së Kosovës, si anëtar të këtij organi drejtues.
Ndërkohë, ka reaguar menjëherë ish-futbollisti i njohur Tauland Dajaku, një nga kritikët më të ashpër të përbërjes aktuale të FFK-së. Dajaku ka shprehur pakënaqësinë për mënyrën se si janë marrë vendimet dhe ka kërkuar transparencë të plotë në proceset e zgjedhjes së përfaqësuesve të futbollistëve.

“Këto zhvillime kanë shtuar shqetësimin për transparencën dhe rregullshmërinë e proceseve vendimmarrëse në futbollin kosovar”, ka thënë Dajaku, ndërsa më poshtë sjellim reagimin e tij të plotë.
“Në Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK) po ngrihen pikëpyetje mbi mënyrën e përfaqësimit të futbollistëve në Komitetin Ekzekutiv. Sipas rregullores, përfaqësuesi i Shoqatës së Futbollistëve Profesionistë të Kosovës duhet të zgjidhet nga Kuvendi i Shoqatës dhe më pas të propozohet në Kuvendin e FFK-së për t’u bërë pjesë e Komitetit Ekzekutiv. Ky përfaqësues ka detyrë të mbrojë të drejtat dhe interesat e futbollistëve në organin më të lartë vendimmarrës të federatës.
Megjithatë, ka paqartësi mbi mënyrën se si Samir Ujkani është emëruar në këtë rol. Nuk dihet kur dhe nga kush është votuar ai nga Shoqata e Futbollistëve. Për më tepër, Ujkani mban njëkohësisht edhe postin e zëvendësdrejtorit në Kombëtaren e Kosovës, gjë që sipas kritikëve përbën konflikt të pastër interesi. Arsyeja: ai është pjesë e organit mbikëqyrës (Komiteti Ekzekutiv), ndërkohë që është i punësuar nga i njëjti organ”, ka qenë reagimi i Dajakut në rrjetët sociale.
Samir Ujkani zgjidhet anëtar i Komitetit Ekzekutiv të FFK-së!