
EuroBasket 2025 zhvillohet në katër vende pritëse, Letoni (ku do të zhvillohet faza finale në Arena Riga), Finlandë, Poloni dhe Qipro. Turneu pritet me entuziazëm të jashtëzakonshëm, duke qenë një arenë ku shkëlqejnë yjet më të mëdhenj të basketbollit europian dhe të NBA-së.
Ky edicion shënon pjesëmarrjen e 24 kombëtareve që u kualifikuan përmes fazës së gjatë dhe intensive të eliminatoreve. Në mesin e tyre spikatin emra të mëdhenj si Greqia, Spanja, Gjermania, Franca dhe Sllovenia si dhe fqinjët tanë verior, Serbia.
Greqia mbështetet fuqishëm në superyllin Giannis Antetokounmpo, ndërsa Sllovenia do të ketë në krye Luka Donçiç. Spanja, ndonëse kampione në fuqi, hyn në një fazë rinovimi pas pensionimit të disa liderëve historikë si Rudy Fernandez dhe Sergio Llull, si dhe me mungesën e Lorenzo Brown. Serbia konsiderohet si favoritja absolute për titull, duke u udhëhequr nga Nikola Jokiç, së bashku me yje të tjerë si Bogdan Bogdanoviç dhe Vasilije Miciç. Por, skuadra veriore shpesh ka dështuar në të kaluarën dhe nuk do të ishte befasi nëse do të dështonin sërish.
Përkundër entuziazmit, disa emra të mëdhenj do të mungojnë. Victor Wembanyama nuk do të paraqitet për Francën për arsye shëndetësore, ndërsa Gjermania do të jetë pa Nyara Sabally. Po ashtu, Kroacia nuk arriti të kualifikohej për herë të parë në historinë e saj.
Ndërsa çmimet e biletave variojnë nga 20 deri në 1,000 euro për paketa VIP. Arena Riga në Letoni do të jetë qendra e gravitetit të garës, ku do të zhvillohen ndeshjet më të rëndësishme të fazës përfundimtare.
Përveç rivaliteteve tradicionale, ky EuroBasket do të shënojë fundin e një epoke për trajnerin e Spanjës, Sergio Scariolo, i cili pas këtij turneu do të marrë drejtimin e Real Madridit.
EuroBasket 2025 premton spektakël, rivalitet të fortë dhe përballje emocionuese mes yjeve më të mëdhenj të kontinentit. Me Serbinë në kulmin e formës, Spanjën në tranzicion dhe yje të NBA-së që zbresin në parketin europian, ky kampionat pritet të jetë një nga më të paharruarit në historinë e basketbollit.

EuroBasket 2025 – Grupet e Faza e Parë
Grupi A – Riga, Letoni: Portugalia, Estonia, Letonia, Turqia, Serbia, Çekia. Favorit: Serbia.
Grupi B – Tampere, Finlandë: Gjermania, Finlanda, Britania e Madhe, Lituania, Suedia, Mal i Zi. Favorit: Gjermania, ndjekur nga Lituania.
Grupi C – Limassol, Qipro: Qipro, Italia, Gjeorgjia, Spanja, Greqia, Bosnje e Hercegovinë. Grup më i fortë me Spanjën, Greqinë dhe Italinë në krye.
Grupi D – Katowice, Poloni: Islanda, Franca, Sllovenia, Polonia, Belgjika, Izraeli. Favoritë: Franca dhe Sllovenia.
24 kombëtare janë ndarë në 4 grupe me nga 6 ekipe secili, të vendosura fillimisht sipas ranglistës FIBA. Katër ekipet e para të çdo grupi kalojnë në fazën në 16-shen, e më pas vijojnë eliminatoret drejt finale.

Spanja dominuese e dekadës së fundit
EuroBasket ka nisur rrugëtimin në vitin 1935 dhe ka kaluar nëpër dekada me zhvillime të jashtëzakonshme. Spanja ka dominuar dekadën e fundit, me tituj kampionë në 2009, 2011, 2015 dhe 2022. Franca, Serbia dhe Greqia gjithashtu kanë qenë konkurrente të vazhdueshme. Këtë vit, EuroBasket vjen me potencial të ri, yje të rinj dhe largime të bujshme.
Qipro bën debutimin historik, Portugalia kthehet pas 14 vitesh, ndërsa Suedia dhe Letonia pas mungesash të konsiderueshme.
Prej vitit 2021 nisi procesi i parakualifikimeve, duke vazhduar deri në shkurt 2025 me fazën kualifikuese të ndarë në 8 grupe me nga 4 ekipe. Tri skuadra nga secili grup u kualifikuan në turne, krahas katër vendeve mikpritëse të cilat kishin pjesëmarrje automatike. Ndër risitë, Qipro bën debutimin historik, Portugalia kthehet pas 14 vitesh, ndërsa Suedia dhe Letonia pas mungesash të konsiderueshme.
