
Ferizaj ka zhvilluar ndeshjen e parë përgatitore në Bullgari, ku është përballur me skuadrën rumune Politehnica Iași. Takimi përfundoi me rezultat të barabartë 1-1, me golin për Ferizajn që u realizua nga Fatjon Jusufi.
Megjithatë, lajmi i rëndë për ekipin kosovar erdhi nga dëmtimi serioz i mbrojtësit maqedonas, Antonio Ilieski.
Pas një ndërhyrjeje të ashpër nga një lojtar rumun, Ilieski ka pësuar këputje të ligamentit të gjurit – një dëmtim që pritet ta mbajë jashtë fushave për një periudhë të gjatë, shkruan Kërlaçki.

Kjo është një goditje e madhe për Ferizajn, pasi Ilieski ishte kthyer në një prej shtyllave kryesore të ekipit që nga janari, kur iu bashkua klubit. Ai zhvilloi 16 paraqitje në sezonin e kaluar, duke shënuar 3 gola dhe dhënë një kontribut të rëndësishëm në mbrojtje dhe organizim loje.
Mbrojtësi kishte nënshkruar së fundmi kontratë të re për sezonin 2025/26, por tani do t’i duhet të përballet me një proces të gjatë rikuperimi.

Ferizaj pritet të dalë me një komunikatë zyrtare për gjendjen e lojtarit dhe planin për zëvendësimin e tij në ditët në vijim.