
Historia po shkruhet për futbollin e Kosovës. Për herë të parë një ekip gjyqtarësh kosovarë do të drejtojë një ndeshje të fazës “play-off” në garat e UEFA-s.
UEFA ka vendosur t’i besojë Genc Nuzës, gjyqtarit më të suksesshëm në vend dhe shtatë herë fitues i çmimit “Gjyqtari më i mirë në Kosovë”, një takim jashtëzakonisht të rëndësishëm të Ligës së Konferencës.
Ai do të jetë gjyqtar kryesor në ndeshjen Strasbourg – Brondby, që zhvillohet të enjten nga ora 20:00 në stadiumin “Stade de la Meinau” në Francë.

Ky është një tjetër hap i madh në karrierën e Nuzës, i cili prej shumë vitesh konsiderohet si gjyqtari më i respektuar në futbollin kosovar, duke fituar besimin e UEFA-s për të gjykuar ndeshje të niveleve gjithnjë e më të larta.
Asistentë të tij në këtë përballje do të jenë Bujar Selimaj dhe Granit Hyseni, ndërsa Burim Jahmurataj do të mbajë rolin e gjyqtarit të katërt. Në dhomën e VAR-it do të jenë Clay Ruperti nga Holanda dhe Dardan Çaka.

Ky delegim është vlerësim i madh jo vetëm për Nuzën, por edhe për të gjithë futbollin kosovar, duke dëshmuar se gjyqtarët tanë janë të gatshëm të përfaqësojnë vendin në nivelet më të larta të futbollit evropian.