Hekuran Berisha: Gol që s’do ta harrojë kurrë, analizat e Ilir Dajës të shkëlqyeshme!

Hekuran Berisha
Hekuran Berisha

Mbrëmjen e 14 gushtit, Hekuran Berisha do ta mbajë mend gjatë në karrierën e tij. I transferuar këtë merkato vere nga Dukagjini te Dinamo, sulmuesi 19-vjeçar u bë hero për klubin shqiptar në duelin ndaj gjigantëve të Hajdukut të Splitit.

Berisha hyri në fushë në minutën e 70-të dhe në të 111-tën shënoi golin e kualifikimit. Ky ishte goli i tij i parë zyrtar me fanellën e Dinamos dhe gjithashtu debutimi i tij me gol në arenën europiane.

“U futa me pak emocione në fillim. Daja më tha të jap maksimumin, dhe besoj se e shpërbleva me gol dhe përkushtim. Fitova ndeshjen dhe u kualifikuam.

Është e vështirë të luash kundër një klubi si Hajduk Split. Analiza e lojës dhe përgatitjet tona ishin të shkëlqyera. E shpërbleva veten me gol dhe klubin me angazhimin tim. Ishte një natë plot emocione, goli im i parë europian dhe i pari zyrtar me Dinamon. Jam shumë i lumtur.

Mendova njëherë të godisja menjëherë, por portieri doli dhe unë bëra një lëvizje duke goditur topin lart. Si sulmues, gjithmonë duhet të gjej portën”, tha Berisha.

Torcida e Splitit dhuroi një leksion pasioni në Tiranë pavarësisht humbjes së Hajdukut!