
FCSB nuk po arrin të ngjallë entuziazëm te tifozët e saj për sfidën ndaj Dritës në raundin e tretë kualifikues të Ligës së Evropës.
Sipas burimeve të DigiSport.ro, në 24 orët e para që kur janë hedhur në treg biletat për ndeshjen që zhvillohet të enjten në mbrëmje, janë shitur vetëm 6,500 sosh – një shifër shumë më e ulët se pritjet e klubit rumun. Kjo pasi stadiumi ka kapacitet prej 55 mijë ulësesh.
Kampioni i Rumanisë i vendosi biletat në shitje që në mëngjesin e së hënës, por përkundër faktit se në sezonin e kaluar kishte interes të madh për ndeshjet evropiane, këtë herë reagimi i tifozëve ka qenë i vakët.

Deri të hënën në mbrëmje nuk ishin shitur as 10 mijë bileta, vetëm dy ditë para ndeshjes.
Kjo tregon për një zhgënjim të thellë të tifozëve të FCSB-së, që duket se nuk janë të bindur në këtë edicion nga skuadra e tyre.

Katër dështime radhazi – në Evropë dhe kampionat – kanë ndikuar drejtpërdrejt në atmosferën rreth ekipit kuqeblu, që rrezikon të mos ketë mbështetje të madhe as në shtëpi ndaj Dritës.