
Leotrim Krasniqi, trajneri që së fundmi drejtoi Lirinë e Prizrenit dhe më herët ka qenë pjesë e Vëllaznimit, Vjosës së Shtimes, Drenasit dhe Besës së Pejës – me të cilën garoi edhe në Superligën e Kosovës – flet për përvojën e tij, sfidat dhe vizionin për të ardhmen.
Trajneri Leotrim Krasniqi flet për rrugëtimin e tij në futbollin kosovar, përvojat me klubet si Vëllaznimi, Liria dhe Vjosa, si dhe për vizionin e tij si trajner. Në një intervistë për ne, ai ndalet te sfidat, suksesi përtej rezultatit, si dhe kontaktet me klubin e Malishevës.
Keni pasur kontakte me Malishevën. Deri ku kanë shkuar ato bisedime dhe çfarë ndodhi më pas?
Po, kam pasur kontakte me Malishevën. Patëm një takim konstruktiv ku diskutuam rreth ekipit, objektivave dhe mënyrës së punës. Në fund, ata vendosën të ndjekin një drejtim tjetër, dhe unë e respektoj plotësisht këtë zgjedhje. Uroj që të kenë sukses dhe të arrijnë synimet e tyre.
Sa për mua, jam i përqendruar që mundësia e radhës të jetë në përputhje me ambiciet e mia si trajner. E ndjej veten të përgatitur dhe të motivuar, dhe jam në pritje të një sfide që përkon me filozofinë time të punës dhe që më sfidon profesionalisht.
Pse nuk vazhduat me Lirinë?
Parimisht kishim arritur një marrëveshje për të vazhduar bashkëpunimin me Lirinë. Gjatë gjithë kohës ishim në kontakt të rregullt, si me kryesinë, ashtu edhe me drejtorin sportiv. Megjithatë, brenda klubit po ndodhnin disa procese të brendshme riorganizimi, dhe gjatë asaj periudhe më kumtohet lajmi se duhet të ndërpresim bashkëpunimin, pasi ekipi do të kishte objektiva të tjera nga ato për të cilat ishim dakorduar.
Më pas, duket se ata arritën një konsolidim të brendshëm dhe një mirëkuptim të ri, duke ndërtuar një skuadër shumë konkurruese, me lojtarë cilësorë që kanë potencialin për të realizuar një sezon të suksesshëm.
Për mua, periudha në Liri ishte e suksesshme. Është një klub me emër dhe me tifozëri të madhe. Jam ndier shumë mirë në Prizren dhe do të jem gjithmonë falënderues për besimin dhe respektin që patën për punën time. Drejtimi i një klubi si Liria më ka bërë më të përgatitur për sfidat e ardhshme.
Këtë sezon, Liria është një kandidate serioze për ngritje. Kanë bërë përforcime cilësore dhe kanë ruajtur bazën e sezonit të kaluar.
Çfarë ndodhi te Vëllaznimi?
Te Vëllaznimi kalova një periudhë shumë të mirë të karrierës sime. Bëhet fjalë për një klub me traditë dhe tifozëri të zjarrtë. Kishim rezultate të mira dhe ishim duke ndërtuar një stil loje të shpejtë e dinamike, duke qenë dominues, edhe pse çdo ndeshje e luanim si mysafir. Në janar sapo kishim nisur ndërtimin e ekipit, por ndodhi ajo që tashmë e kam sqaruar më parë.
Udhëheqja e klubit më ndihmoi shumë të rritem si trajner dhe jam mirënjohës për besimin që më dhanë për të drejtuar një emër si Vëllaznimi. Shpresoj të kem lënë diçka pozitive në klubin gjakovar.
Nuk e kam ndjekur shumë Vëllaznimin e këtij sezoni, por fitorja në xhiron e parë është një motivim i madh. Besoj se objektivi i tyre mbetet ngritja në elitë.
Në cilin ekip keni pasur ndikimin më të madh?
Në secilin klub ku kam punuar, jam përpjekur të imponoj stilin tim të lojës që nga dita e parë. Për nga kohëzgjatja, te Vjosa kam pasur më shumë mundësi për të ndërtuar mënyrën time të lojës, dhe jam krenar për atë periudhë.
Te Vëllaznimi dhe Liria nuk pata kohë të mjaftueshme për të zhvilluar plotësisht idetë e mia, por megjithatë jam shumë i kënaqur me mënyrën si luajtën këto dy ekipe nën drejtimin tim, dhe me rezultatet e arritura në një periudhë të shkurtër.
Java e parë e Superligës dhe Ligës së Parë – si e patë?
Një javë shumë pozitive, me shumë shikues në tribuna, gola të shumtë dhe rivalitet sportiv në fushë. Besoj se me kalimin e javëve, kampionati do të bëhet edhe më interesant dhe forma e ekipeve do të pasqyrohet më qartë pas 3-4 xhirove.

Çfarë nënkupton për ju suksesi si trajner?
Për mua, suksesi si trajner nuk matet vetëm me rezultatet në tabelë. Edhe pse rezultatet janë të rëndësishme, suksesi i vërtetë qëndron në ndërtimin e një identiteti loje dhe në zhvillimin personal e profesional të lojtarëve. Kur arrin të ndikosh pozitivisht te një ekip dhe të lësh gjurmë te njerëzit me të cilët punon, atëherë e ndjen veten të suksesshëm.
Në tre klubet e fundit – Vjosa, Vëllaznimi dhe Liria – kam përfunduar në vendin e dytë, çka e konsideroj sukses. Por, mbi të gjitha, krenaria ime më e madhe është ndikimi që kam pasur në zhvillimin e skuadrave dhe mënyra si jam perceptuar si trajner dhe si njeri.
Si e vlerësoni nivelin e futbollit tonë?
Futbolli ynë ka potencial të madh, por ajo që i mungon më shumë është durimi dhe vizioni afatgjatë. Shumë klube ndërtojnë skuadra për vetëm një sezon, pa një filozofi të qartë loje dhe pa strategji për zhvillimin e lojtarëve të rinj. Kjo sjell mungesë stabiliteti dhe rezultate të paqëndrueshme.
Si trajner, jam optimist për të ardhmen. Ka trajnerë të përgatitur, lojtarë me talent dhe njerëz që e duan futbollin me pasion. Na nevojitet më shumë planifikim, vazhdimësi dhe besim në proces – jo vetëm në rezultatin e fundjavës.
