
Klubi i Basketbollit Bora, i themeluar vetëm tre vite më parë, po ndërton me përkushtim themelet e një skuadre solide në elitën e basketbollit të Kosovës.
Pas debutimit në Superligë gjatë sezonit 2024/25 dhe mbijetesës në elitë falë fitores në ndeshjet “play-out” kundër KEK-ut, drejtuesit e klubit kanë vendosur të rrisin profesionalizmin në të gjitha nivelet. Pjesë e këtij transformimi është edhe ndryshimi në pankinë: trajneri malazez Danilo Rakoqeviç është zëvendësuar nga bullgari Lubomir Minchev, për të cilin kjo do të jetë përvoja e parë ndërkombëtare si trajner jashtë Bullgarisë – pas një karriere të gjatë si lojtar dhe trajner në vendin e tij.

Bora ka qenë aktive edhe në tregun e lojtarëve, duke prezantuar emra premtues dhe me përvojë. Ndër ta është Rron Ukaj, ish-reprezentues i Kosovës, i lindur në Pejë, si dhe qendra amerikane Tyson Jackson (206 cm), me përvojë nga NCAA dhe ligat evropiane, që i është bashkuar Borës nga skuadra gjeorgjiane Orbi.


Po ashtu janë angazhuar Olsi Kurtaj nga Harcum College, amerikani Shaquan Jules, gjithashtu me eksperiencë në Gjeorgji, dhe veterani 33-vjeçar Amin Hot (195 cm), i lindur në Rozhajë të Malit të Zi dhe i njohur për paraqitjet në basketbollin kosovar, së fundmi me skuadrën e Pejës. Një tjetër prurje e rëndësishme është DQ Nicholas, që vjen nga kampionati boshnjak, ku luajti për Radniçki Gorazhde.




KB Bora është ndër skuadrat e para që ka nisur përgatitjet për sezonin e ri, duke treguar një seriozitet të lartë edhe pse nuk ka angazhime në gara ndërkombëtare. Skuadra është drejt finalizimit dhe menaxhmenti, i përbërë nga Elvedin Plakiq dhe Besim Braha, po konsiderohet si shembull pozitiv për organizimin dhe vizionin afatgjatë.
