Burime të sigurta të Kërlaçkit konfirmojnë që paga e mbrojtësit të Prishtinës, Ron Raçi (22) pas transferimit në Hajduk do të jetë mbi 15.000 euro.
Qendërmbrojtësi i Prishtinës, Ron Raçi është pranë një prej hapave më të rëndësishëm të karrierës së tij. Lojtari 22-vjeçar ka udhëtuar sot (25 korrik) drejt Kroacisë për të finalizuar marrëveshjen me Hajduk Split, një nga klubet më të njohura të rajonit. Paga e tij do të arrijë shifren mbi 15.000 euro në muajt, ndërsa me bonuse, banim dhe shpenzimet tjera mund të kaloj shifren prej 18.000 deri në mbi 20.000 euro.

Ndërsa, sot Raçi është shoqëruar nga agjentët e tij Lulzim Murtezaj dhe Adonis Arifi, si dhe ndërmjetësuesi Eros Grezda, ish-futbollist me përvojë në kampionatin kroat. Ai pritet të qëndrojë në Split për disa ditë, ku do të përfundojë procedurat për transferim, ka bërë të ditur Telegrafi.
Po ashtu sipas këtyre burimeve, Raçi do t’i nënshtrohet nesër ekzaminimeve mjekësore, dhe nëse gjithçka shkon mirë, klubi do ta prezantojë zyrtarisht si përforcimin më të ri për sezonin e ri në elitën e futbollit kroat (HNL).
Ky transferim konsiderohet rezultat i negociatave disa-javore mes përfaqësuesve të lojtarit dhe drejtuesve të klubit kroat. Interesi i Hajdukut ndaj mbrojtësit shqiptar është një tregues i besimit në potencialin e tij dhe dëshirës së klubit për të investuar në talentet e reja nga rajoni.
Në moshën 22-vjeçare, Raçi po shihet si një nga emrat më premtues në brezin e ri të futbollit shqiptar, dhe një transferim te Hajduk Split mund t’i hapë dyert drejt niveleve më të larta të futbollit evropian.
Mbrojtësi i FC Prishtinës, Ron Raçi pranë kalimit te Hajduk Split – marrëveshja rreth 300 mijë euro