Klubi i Superligës i ankohet FIFA-s për mungesën e sulmuesit: “Le të paguajë dëmshpërblim!”

Mevlan Zeka
Mevlan Zeka

Mevlan Zeka nuk dëshiron të rikthehet te UTA Arad. Çështja e sulmuesit Mevlan Zeka (31 vjeç), i regjistruar te UTA Arad, ka hyrë në një fazë të re një muaj pasi Gazeta Sporturilor raportoi për situatën e pazakontë në futbollin rumun, përcjellë Kërlaçki.

I transferuar me parametra të lirë gjatë këtij afati kalimtar, kosovari ka refuzuar të rikthehet në skuadër, duke përmendur arsye personale. Zeka ishte golashënuesi më i mirë i kampionatit të Kosovës sezonin e kaluar me 22 gola, si kapiten i FC Suharekës.

Pas përvojës së tij të parë jashtë vendit, ai u largua për në Kosovë menjëherë pas grumbullimit të parë me skuadrën dhe nuk u kthye më. Së fundmi, ai ka ndërprerë çdo komunikim me klubin, ndërsa drejtuesit e UTA-s po përgatiten ta raportojnë rastin në FIFA.

Menaxheri i lojtarit ka marrë përsipër bisedimet dhe po përpiqet ta sistemojë atë në një skuadër tjetër, ku Zeka po stërvitet prej disa javësh, pa ndonjë kosto për klubin e ri.

Nga pritshmëritë te përplasja ligjore
UTA kishte ndjekur Zekën që nga pranvera, kur ai spikaste në kampionatin e Kosovës, dhe veproi shpejt për të siguruar shërbimet e tij. Sulmuesi 1.82 metra i gjatë nënshkroi një kontratë dyvjeçare me klubin rumun.

Problemet nisën që në fillim të përgatitjeve. Edhe pse në prezantim dukej në humor të mirë, më pas ai ankohej për gjendje të rënduar shpirtërore, gjë që nuk kaloi pa u vënë re nga shokët e ekipit.

Një ditë pas kthimit nga grumbullimi, Zeka kërkoi dy ditë pushim për të qenë pranë bashkëshortes së tij, e cila kishte kaluar një operacion. Drejtori i përgjithshëm Alexandru Meszar miratoi kërkesën, por e paralajmëroi se ishte prapa në përgatitje fizike, ndërkohë që kampionati i ri fillonte pas një jave.

Qëndrimi i klubit
“Me komunikimin kemi mbetur vetëm përmes avokatëve. Dukët se nuk do të gjejmë gjuhë të përbashkët, ndaj po shkojmë në FIFA, sepse nuk duam të krijojmë precedent. Ne kërkojmë që kontrata të respektohet, kemi llogaritur mbi shërbimet e tij dhe kemi hequr dorë nga sulmues të tjerë për ta marrë, të cilët tani nuk janë më në treg”, tha Meszar për GSP.ro, përcjellë Kërlaçki.

“Ai duhet të respektojë kontratën siç bëjmë ne. Nëse nesër të gjithë lojtarët kërkojnë të largohen për arsye personale, çfarë do të ndodhë? Nëse nuk paguan, do të përfundojmë në FIFA. Kërkesa jonë është që ai të kthehet dhe të paguajë dëmshpërblim”, shtoi ai.

Dëmshpërblimi që kërkon klubi për mospërmbushjen e kontratës llogaritet në 350 mijë euro.