Kosova nis përgatitjet për duelin ndaj Sllovakisë në EuroVolley 2026

Volejboll Kosova
Volejboll Kosova

Kombëtarja A e Kosovës në volejboll për meshkuj po vazhdon përgatitjet në Prishtinë, në kuadër të kualifikimeve për CEV EuroVolley 2026. Skuadra po zhvillon stërvitje intensive në palestrën e Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sportit, në prag të përballjes së tretë kualifikuese, që do të luhet më 9 gusht kundër Sllovakisë.

Nën drejtimin e trajnerit të ri, malazezit Darko Prebiraçeviç, përfaqësuesja po synon të ndërtojë një ekip sa më konkurrues për sfidën e radhës që do të zhvillohet në Pallatin e Sporteve “Bill Klinton” në Ferizaj. Prebiraçeviç ka marrë së fundmi drejtimin e ekipit dhe kjo fazë stërvitore shënon periudhën e tij të parë me Kombëtaren.

kosova përgatitet
kosova përgatitet

Në shtabin teknik janë përfshirë edhe ndihmëstrajnerët Skënder Lajçi dhe Valon Mustafa, ky i fundit i bashkuar pas përfundimit të angazhimeve me Kombëtaren U21.

Ndeshja ndaj Sllovakisë pritet të jetë një test i rëndësishëm për trajnerin dhe skuadrën, pas dy përballjeve të zhvilluara gjatë vitit 2024 ndaj Letonisë dhe vetë Sllovakisë. Përfaqësuesja po shfrytëzon maksimalisht fazën përgatitore për të siguruar një paraqitje dinjitoze dhe për të përfituar nga përkrahja e publikut vendor në një duel vendimtar për vazhdimësinë në garat evropiane.

kosova volejboll
kosova volejboll