Kosova U19 udhëton drejt Egjiptit për të marrë pjesë në Kampionatin Botëror të hendbollit

Kosova U19
Kosova U19

Pas një faze të gjatë dhe të suksesshme përgatitore, Kombëtarja U19 e Kosovës në hendboll është gati për të nisur garën në Kampionatin Botëror.

Botërori i 19-vjeçarëve mbahet në Egjipt, vend në të cilin Kombëtarja jonë udhëton të hënën (nesër).

Ndeshjet e para janë të mërkurën, më 6 gusht, ndërsa Botërori përfundon më 17 gusht.

Është hera e tretë që ekipet kombëtare të Kosovës në hendboll, si në asnjë sport tjetër ekipor, paraqiten në Kampionate Botërore.

Kosova U19 është në Grupin B së bashku me Hungarinë, Zvicrën dhe Marokun.

Ndeshja e parë e Kombëtares sonë është me Zvicrën, të mërkurën nga ora 18:30 në sallën “Dr Hassan Moustafa” në Giza.

Të premten djemtë tanë luajnë me Hungarinë, ndërsa të shtunën është ndeshja me Marokun. Më pas janë takimet e fazës së dytë.