
Los Angeles Lakers po e ndërtojnë të ardhmen rreth yllit slloven Luka Donçiq, ndërsa zërat për largimin e LeBron James pas sezonit të ardhshëm po bëhen gjithnjë e më të fortë. Sipas burimeve nga NBA, Lakers janë të gatshëm t’i ofrojnë Donçiqit një zgjatje kontrate katërvjeçare me vlerë 229 milionë dollarë (rreth 195 milionë euro), një sinjal i qartë për besimin që kanë tek ai si lider i ri i skuadrës.
Zyrtarizimi i marrëveshjes mund të ndodhë vetëm pas datës 2 gusht, kur Donçiq do të plotësojë kushtet për zgjatjen e kontratës. Kontrata e tij aktuale skadon më 2026, ndërsa për sezonin e ardhshëm ai do të përfitojë 46 milionë dollarë, me një opsion shtesë për sezonin 2026–27.

Luka Donçiq, 26 vjeç, është një nga yjet më të ndritur të NBA-së. Ai është rritur si talent i madh te Real Madrid, ku debutoi që në moshën 16-vjeçare, përpara se të shkëlqente në NBA me Dallas Mavericks, duke regjistruar mesatare prej 28.6 pikësh, 8.6 kërcimesh dhe 8.2 asistimesh për ndeshje në shtatë sezone. Prej shkurtit 2025, ai është pjesë e Lakers pas një shkëmbimi tronditës me Anthony Davis.
LeBron James, një nga legjendat absolute të basketbollit botëror, iu bashkua Lakers në vitin 2018 dhe udhëhoqi skuadrën drejt titullit kampion në 2020, në “balonin” e Orlandos gjatë pandemisë së COVID-19. Me atë fitore, ai u bë i pari lojtar në histori që shpallet MVP i finales me tre ekipe të ndryshme.
Në sezonin 2024/25, edhe pse në moshën 40-vjeçare, LeBron regjistroi shifra mbresëlënëse: 25.7 pikë, 7.3 kërcime dhe 8.3 asistime me 54% saktësi nga loja. Por, duket se epoka e tij me Lakers po shkon drejt fundit.

Donçiq hoqi dorë nga kontrata më e madhe në histori
Sikur të kishte qëndruar në Dallas, Donçiq mund të kishte nënshkruar një superkontratë pesëvjeçare me vlerë 345 milionë dollarë, por shkëmbimi me Davisin i hapi një kapitull të ri në karrierë, me sfidën e të udhëhequrit një prej klubeve më historikë të NBA-së.
Lakers tashmë janë duke ndërtuar ekipin sipas kërkesave të Donçiq. Në verë janë afruar emra si Jake LaRavia, Deandre Ayton dhe Marcus Smart, të cilët besohet se ishin dëshira direkte të sllovenit.