Leon Avdullahu zgjedh Kosovën? Mediat zvicerane alarmohen!

Leon Avdullahu
Leon Avdullahu

Leon Avdullahu, talenti 21-vjeçar që është transferuar këtë verë në Bundesligë për afro 8 milionë euro, është bërë epiqendra e një përplasjeje të heshtur mes përfaqësueses së Kosovës dhe asaj të Zvicrës. Federata e Futbollit të Kosovës ka nisur një ofensivë të qartë për ta bindur futbollistin të përfaqësojë ngjyrat e Kosovës në arenën ndërkombëtare, shkruajnë mediet zvicerane, përcjellë Kërlaçki.

Sipas raportimeve nga mediat zvicerane, Kosova ka aktivizuar të gjitha kanalet dhe kontaktet për ta afruar Avdullahun, duke parë te ai një lider të ardhshëm të skuadrës. “Ky është ndoshta rasti më serioz i një lojtari që mund të zgjedhë Kosovën përpara Zvicrës – dhe një zhgënjim i madh për Federatën Zvicerane nëse kjo ndodh”, është komentuar në një emision sportiv në Zvicër.

Në diskutim është futur edhe menaxhimi i dobët i rasteve të tilla nga ana e Federatës Zvicerane. Kritikët zviceran theksojnë mungesën e një strategjie të qartë për talentet me origjinë të dyfishtë. “Zvicra duhej ta kishte bërë më herët të qartë vizionin për të ardhmen e Leonit. Duhej të kishte ndërtuar një marrëdhënie më të fortë me të dhe familjen e tij”, u shpreh njëri prej analistëve sportiv.

Ndërkohë, roli i trajnerit të ri të U21, i cili ka për detyrë menaxhimin e talenteve që ndodhen “mes dy kombëtareve”, duket se nuk ka qenë i mjaftueshëm. Edhe drejtuesit e rinj të Federatës, përfshirë Peter Knabel, janë përfshirë personalisht në përpjekjet për ta bindur Avdullahun të qëndrojë me Zvicrën. Sipas burimeve, madje edhe trajneri Murat Yakin është parë duke udhëtuar drejt Hoffenheimit për të zhvilluar bisedime direkte me futbollistin.

Rasti Avdullahu rikthen edhe një herë temën e ndjeshme të përfaqësimit kombëtar për lojtarët me origjinë shqiptare. Për Kosovën, një “po” nga Avdullahu do të ishte një triumf strategjik dhe një forcim real i skuadrës. Për Zvicrën, një humbje që do të rihapte debatin mbi politikat e saj ndaj lojtarëve me prejardhje të huaj.

Kush është Leon Avdullahu 

Talenti 21-vjeçar Leon Avdullahu ka bërë hapin e madh në karrierë, duke nënshkruar zyrtarisht me klubin gjerman TSG Hoffenheim për të cilin ka debutuar në ndeshjen e Kupës. Transferimi i tij nga FC Basel është mbyllur për një shumë prej 8 milionë eurosh plus bonuse, duke e bërë atë një nga lëvizjet më të mëdha të kësaj vere në Bundesligë për një lojtar të moshës së re.

Avdullahu, i lindur në Solothurn të Zvicrës dhe me prejardhje nga Kosova, është konsideruar si një prej mesfushorëve më premtues në futbollin zviceran. Ai ka kaluar nëpër akademitë e FC Gerlafingen, FC Solothurn dhe më pas është formuar si futbollist te FC Basel, ku debutoi me ekipin e parë në sezonin 2023–24.

Në sezonin e fundit, ai ishte një nga shtyllat kryesore të skuadrës së Basel, skuadër me të cilën ka regjistruar 71 ndeshje dhe 3 gola në të gjitha kompeticionet, ndërsa ndihmoi ekipin të fitojë kampionatin dhe Kupën e Zvicrës – një “dopietë” historike për klubin.