Liridon Fetahaj paralajmëron largimin nga Liria! Por a mund të largohet pas nënshkrimit të kontratës?

Liridon Fetahaj paralajmëron largimin nga Liria! Por a mund të largohet pas nënshkrimit të kontratës?
Liridon Fetahaj

Në FC Liria nuk ka qetësi. Klubi prizrenas e nisi fushatën e transferimeve me shumë bujë, por tashmë po përballet me probleme serioze.

Pas Fitim Susurit dhe Albion Kurtajt, lojtari i tretë i pakënaqur është sulmuesi anësor nga Prizreni, Liridon Fetahaj.

Burime të sigurta të Kërlaçkit konfirmojnë se problemi kryesor ka të bëjë me mospagesën e bonusit të nënshkrimit. Futbollistëve fillimisht u ishte thënë se ky bonus do të përfshihej në pagat mujore, por më pas doli se disa prej përforcimeve kishin marrë shumën paraprakisht. Kur kjo u verifikua, pjesa tjetër e lojtarëve u revoltua, duke kërkuar ose pagesën, ose largimin nga klubi.

Të njëjtat burime bëjnë të ditur se drejtuesit e Lirisë e kanë pranuar largimin e Fetahajt. Megjithatë, ky i fundit ka nënshkruar një kontratë e cila është dërguar tashmë për regjistrim në Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK).

Duhet theksuar se nënshkrimi i më shumë se një kontrate mund të sjellë pasoja të rënda për lojtarin, përfshirë edhe pezullimin deri në gjashtë muaj.

Mbetet të shihet në ditët në vijim se si do të zhvillohen këto ngjarje dramatike te „bardhezinjtë“.