
Ndeshja mes Oleksandriyas dhe Partizanit të Beogradit në raundin e dytë të Ligës së Konferencës është shoqëruar me tension jashtë fushës.
Futbollistët e skuadrës ukrainase kanë refuzuar të shtrëngojnë duart me lojtarët serbë para fillimit të ndeshjes së zhvilluar në Poloni.
Skuadra ukrainase u rreshtua në fushë e mbështjellë me flamuj kombëtarë dhe refuzimi për përshëndetje është interpretuar si shenjë proteste ndaj afërsisë së Serbisë me Rusinë.
Sipas raportimeve të “index.hr”, vendimi i Oleksandriyas vjen si reagim ndaj pjesëmarrjes së Partizanit në një turne në Rusi, që nga ana e klubit ukrainas është konsideruar si një akt armiqësor.
“Ne nuk e mbështesim në asnjë mënyrë klubin e futbollit Partizan duke pasur parasysh faktin se ata morën pjesë në turneun në Rusi. Klubi e konsideron këtë një akt armiqësie ndaj klubit tonë. Ky është qëndrimi i klubit dhe i popullit të Ukrainës”, tha a trajneri i Oleksandrias, Kiril Nesterenko.
Pavarësisht tensioneve, ndeshja u zhvillua normalisht në fushë dhe përfundoi me fitoren 2:0 të Partizanit të Beogradit.