Malisheva nis për herë të dytë në histori aventurën evropiane, me objektiva të qarta dhe besim të madh për të lënë gjurmë në Ligën e Konferencës.
Skuadra e drejtuar nga trajneri Bekim Isufi do të përballet me ekipin islandez Vikingur Reykjavik, në ndeshjen e parë të raundit të parë kualifikues të UEFA Europa Conference League.
Ndeshja zhvillohet sonte (e enjte) në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, me fillim nga ora 20:15.

Kjo është hera e dytë që Malisheva përfaqëson Kosovën në arenën ndërkombëtare, dhe përkundër faktit se përballen me një kundërshtar me më shumë përvojë në garat evropiane, ekipi kosovar synon një rezultat pozitiv në shtëpi, që do ta mbante të gjallë shpresën për kualifikim.
Trajneri Isufi ka punuar me intensitet gjatë fazës përgatitore dhe është shprehur i kënaqur me përgjigjen e skuadrës. Me përkrahjen e tifozëve dhe motivimin e lojtarëve, Malisheva kërkon ta shfrytëzojë sa më mirë avantazhin e fushës.
Ndeshja e kthimit do të luhet pas një jave në Islandë, por fokusi është te paraqitja dinjitoze dhe marrja e një epilogu sa më të favorshëm në Prishtinë.