Mbyllet Evropiani spektakolar i CS2 në Prishtinë, befasi e madhe në finale!

Ceremonia përmbyllëse e Kampionatit Evropian të Esports në CS2 solli emocion, krenari dhe festë, duke kurorëzuar më të mirët e këtij turneu historik që u mbajt në Prishtinë.

Përfaqësuesja që eliminoi Kosovën në cerekfinale, Lituania, u shpall kampione e madhe e EEC25, duke fituar medaljen e artë pas një finale të fuqishme kundër Ukrainës dhe duke ngritur trofeun simbolik “Helmeta Ilire”.

Kjo fitore i vendos ata në faqet e historisë së këtij sporti si një nga skuadrat më të forta dhe të përkushtuara.

Ukraina rrëmbeu medaljen e argjendtë, duke treguar një performancë të jashtëzakonshme deri në finale, me forcë, pasion dhe vendosmëri deri në momentin e fundit.

Gjermania, nga ana tjetër, mori vendin e tretë, duke fituar ndeshjen për medaljen e bronztë ndaj Danimarkës me një paraqitje të qëndrueshme dhe të fortë gjatë gjithë turneut.

Ky edicion i Kampionatit Evropian të Esports 2025, i zhvilluar në Prishtinë, ishte një sukses i madh, falë përkushtimit të lojtarëve, ekipeve, stafit organizues, tifozëve dhe partnerëve.

Shpirti i Esports në Evropë ishte më i gjallë se kurrë në zemër të Kosovës.